Gamze Türkoğlu Oğuz
01 Mars 2019•Përditësim: 01 Mars 2019
Sekretari i Shtetit i SHBA-ve, Mike Pompeo tha se vendi i tij "po bën shumë" për uljen e tensioneve midis Pakistanit dhe Indisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
"India Today" raporton se Pompeo gjatë vizitës në Filipine foli për tensionet mes Pakistanit dhe Indisë.
Duke theksuar se SHBA-të janë duke "bërë shumë" për uljen e tensioneve dhe vendosjen e dialogut në mes Pakistanit dhe Indisë, Pompeo deklaroi se SHBA ndjek nga afër zhvillimet dhe se do të vazhdojë të ndjekë situatën.
Ai rikujtoi bisedat me autoritetet e Pakistanit dhe Indisë, të cilave u bëri thirrje për përmbajtje dhe shmangien e përshkallëzimit të konfliktit me çdo kusht.
Tensionet mes Indisë dhe Pakistanit u përshkallëzuan më 14 shkurt në rajonin e krizës në Kashmir, kur në sulmin me bombë ndaj një autokolone paraushtarake u vranë 44 ushtarë indianë dhe u plagosën 20 ushtarë të tjerë. India akuzoi Pakistanin për sulmin, por Islamabadi zyrtar hodhi poshtë akuzat duke e dënuar sulmin. Forcat indiane më 26 shkurt kryen sulme ajrore në kampin që ndodhet në anën pakistaneze të vijës së demarkacionit.
Tensionet u përshkallëzuan të mërkurën, kur ushtria pakistaneze rrëzoi dy avionë të ushtrisë indiane që shkelën hapësirën ajrore të Pakistanit. Nga ana tjetër, tre avionë pakistanezë hynë në hapësirën ajrore indiane me ç'rast shkaktuan reagimin e forcave indiane. Mediat lokale raportojnë se forcat indiane kishin rrëzuar një avion pakistanez F-16.
Për shkak të konfliktit në Kashmir, autoritetet e Pakistanit dhe të Indisë kanë mbyllur shumicën e aeroporteve dhe hapësirën ajrore për fluturime civile. Pakistani ka njoftuar se deri në njoftimin e radhës ka bllokuar hapësirën ajrore për të gjitha fluturimet komerciale.
Bashkimi Evropian, Turqia, Gjermania, Britania e Madhe, Kina dhe Rusia i kanë bërë thirrje Pakistanit dhe Indisë të përmbahen.