Ekip
24 Korrik 2020•Përditësim: 24 Korrik 2020
SHBA dhe Britania e Madhe e kanë akuzuar Rusinë për kryerjen e një testi të armëve anti-satelitore në hapësirë, duke gjuajtur një predhë nga një satelit rus që mund të përdoret për të rrëzuar satelitët e tjerë në orbitë, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Ne jemi të shqetësuar nga mënyra me të cilën Rusia testoi një nga satelitët e saj duke lëshuar një predhë me karakteristikat e një arme", tha mbrëmë vonë zv/Marshali Ajror Marshal, Harvey Smyth, kreu i Drejtorisë së Hapësirës në Mbretërinë e Bashkuar.
"Veprimet e këtij lloji kërcënojnë përdorimin paqësor të hapësirës dhe rrezikojnë të shkaktojnë copëza që mund të përbëjnë kërcënim për satelitët dhe sistemet hapësinore nga të cilat varet bota. Ne i bëjmë thirrje Rusisë të shmangë çdo testim të mëtejshëm", tha ai.
"Ne gjithashtu i kërkojmë Rusisë që të vazhdojë të punojë në mënyrë konstruktive me Mbretërinë e Bashkuar dhe partnerët e tjerë për të inkurajuar sjelljen e përgjegjshme në hapësirë", shtoi Smyth.
Kjo është hera e parë që Britania e ka akuzuar Rusinë për testimin e armëve në hapësirë, që ndodh pak para publikimit të një raporti të Mbretërisë së Bashkuar ku thuhet se kishte nënvlerësuar keq kërcënimin e paraqitur nga Rusia.
Komanda Hapësinore e SHBA-së tha se më 15 korrik, një satelit i Rusisë i quajtur Cosmos 2453 "operonte në afërsi jo-normale afër një sateliti amerikan në orbitën e ulët të tokës para se të manovrohej larg pranë një sateliti tjetër rus, ku lëshoi një objekt tjetër në afërsi të satelitit shënjestër të Rusisë”.
Komanda Hapësinore e SHBA-së gjithashtu vlerëson se ky test është në kundërshtim me qëllimin e satelitit si një sistem inspektimi, siç përshkruhet nga Rusia.
- "Pajisjet e hapësirës në rrezik"
"Sistemi satelitor rus i përdorur për të bërë këtë provë të armëve në orbitë është i njëjti sistem satelitor për të cilin kemi ngritur shqetësime në fillim të këtij viti, kur Rusia manovroi pranë një satelit të qeverisë amerikane", tha gjenerali John W. Raymond, kreu i Komandës Hapësinore dhe Forcave Hapësinore Amerikane.
"Kjo është dëshmi shtesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Rusisë për të zhvilluar dhe testuar sisteme hapësinore dhe në përputhje me doktrinën ushtarake të botuar nga Kremlini për të përdorur armë që mbajnë në rrezik asetet hapësinore të SHBA-së dhe aleatëve", shtoi ai.
Forcat Hapësinore Amerikane, të krijuara kohëve të fundit, raportohet se ishin të nevojshme pjesërisht për shkak të armëve anti-satelitore ruse dhe kineze.
Muajin e kaluar, Pentagoni publikoi një dokument të strategjisë hapësinore duke thënë se Kina dhe Rusia paraqesin kërcënimin më të madh strategjik për shkak të "zhvillimit, testimit dhe vendosjes së aftësive hapësinore dhe doktrinës së tyre ushtarake të lidhur për zgjatjen e shtrirjes së konfliktit deri në hapësirë".
"Kina dhe Rusia janë armatosur në hapësirë si mjet për të zvogëluar efektivitetin ushtarak të SHBA-së dhe aleatëve si dhe për të sfiduar lirinë tonë të funksionimit në hapësirë", thuhet në dokument.
Christopher Ford, zyrtari i lartë i kontrollit të armëve të Departamentit të Shtetit të SHBA-së tha se incidenti tregoi hipokrizinë e Rusisë për kontrollin e armëve hapësinore "me të cilën Moska synon të kufizojë aftësitë e SHBA-së, ndërsa është e qartë se nuk ka qëllim për të ndaluar programin e saj të kundër-hapësinor, përfshirë aftësitë anti-satelitore nga toka dhe ato që dukeshin se ishin armë anti-satelitore brenda orbitës".
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë në lidhje me testin e 15 korrikut tha se "gjatë testimit të teknologjisë më të fundit hapësinore, një nga satelitët vendas u ekzaminua nga afër duke përdorur pajisje të specializuara të një anijeje të vogël hapësinore", duke shtuar se janë marrë "informata të vlefshme në lidhje me gjendjen teknike të objektit nën hetim”.