Zehra Ulucak
11 Dhjetor 2018•Përditësim: 11 Dhjetor 2018
ANKARA (AA) - Dy murgesha me detyrë në një shkollë katolike në Kaliforni të SHBA-ve pasi kanë përvetësuar rreth 500 mijë dollarë kanë luajtur bixhoz në Las Vegas, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas BBC-së, mësohet se murgeshat Mary Kreuper dhe Lana Chang, kanë marrë 500 mijë dollarë që kanë përvetësuar nga kasaforta e shkollës katolike St. James dhe i kanë përdorur për të luajtur bixhoz në Las Vegas.
Kryepeshkopata e Los Angeles-it, ka theksuar se pas një kontrolli rutinë kanë zbuluar se murgeshat kishin marrë paratë e pagesave për shkollën dhe të atyre që janë dhuruar.
Ndërkohë bëhet e ditur se murgeshat që pak kohë më parë kanë dalë në pension kanë shprehur pendim për veprimet e tyre.
Murgesha Mary Kreuper e cila ka ushtruar detyrën e drejtoreshës për 29 vite dhe Lana Chang detyrën si mësuese për 20 vite, mendohet se paratë që ato kanë vjedhur për një periudhë të paktën 10 vjeçare i kanë shpenzuar në bixhoz dhe udhëtime.
Michael Meyers, një zyrtar i kishës, në një letër dërguar famullisë së kishës ka thënë se "Murgesha Mary dhe murgesha Lana më kërkuan që t'u transmetoj juve situatën dhe pendesën e thellë që ato kanë. Nga ju kërkojnë falje dhe presin lutjet tuaja".
Ndërsa kisha katolike St. James ka bërë të ditur se nuk do të ndërmerret ndonjë veprim kundër murgeshave duke vënë theksin se murgeshat kanë "një pendesë të thellë" në çështjen e veprimeve të tyre.
Mendohet se murgeshat në vend të llogarisë së shkollës i kanë transferuar në llogaritë e tyre personale çekët për pagesë shkollore dhe pagesat tjera të ndryshme.