Hakan Çopur
11 Janar 2018•Përditësim: 11 Janar 2018
WASHINGTON (AA) - Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) deklaruan se "janë shumë të shqetësuar" për arrestimin e mijëra njerëzve gjatë protestave në Iran, transmeton Anadolu Agency (AA).
Shtëpia e Bardhë në një deklaratë me shkrim ka theksuar se janë të shqetësuar në lidhje me situatën e personave që kanë marrë pjesë në protestat e zhvilluara në Iran.
"Administrata e Trump-it është shumë e shqetësuar për shkak të lajmeve se regjimi i Iranit ka burgosur mijëra qytetarë iranianë që kanë marrë pjesë në protestat paqësore", thuhet në deklaratën ku potencohet se janë "shqetësuese" pretendimet se disa nga protestuesit janë torturuar dhe madje disa janë vrarë.
"Ne nuk do të mbetemi të heshtur kur diktatura e Iranit shtyp të drejtat themelore të qytetarëve të saj. Ne do të bëjmë përgjegjës liderët iranianë për këto shkelje. SHBA-të bëjnë thirrje për lirimin e të gjithë të burgosurve politikë në Iran, përfshirë edhe viktimat e demonstratave të fundit", qëndron në deklaratë.
Më parë si Presidenti amerikan Donald Trump edhe zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders dolën me deklarata në mbështetje të protestuesve në Iran.
Ndërkohë edhe zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Heather Nauert tha: "Ne dënojmë në mënyrën më të ashpër vdekjet dhe arrestimet e rreth 1.000 personave deri më sot. Ne kemi shumë autoritet për të bërë përgjegjës ata që ushtrojnë dhunë kundër demonstruesve, ndaj atyre që kontribuojnë për censurim dhe ndaj atyre që vjedhin nga populli iranian".