Michael Gabriel Hernandez
25 janar 2023•Përditësim: 26 janar 2023
Administrata e presidentit amerikan Joe Biden do t’i dërgojë Ukrainës 31 tanke “M1 Abrams” në përgjigje të kërkesës nga Kievi, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke njoftuar zyrtarisht vendimin, Biden tha se dorëzimi i tankeve të prodhimit amerikan do të forcojë ndjeshëm aftësinë e Ukrainës për t’u mbrojtur kundër ofensivës së të Rusisë.
“Tanket ‘Abrams’ janë tanket më të afta në botë. Ato janë gjithashtu jashtëzakonisht kompleksë për t’u operuar dhe mirëmbajtur, kështu që ne po i japim gjithashtu Ukrainës pjesët dhe pajisjet e nevojshme për t’i mirëmbajtur në mënyrë efektive këto tanke në fushën e betejës”, u tha Biden gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
Trajnimi i trupave ukrainase për përdorimin, mirëmbajtjen dhe furnizimin e tankeve do të fillojë “sa më shpejt të jetë e mundur”, tha presidenti amerikan, duke vënë në dukje se dërgesat e sistemit të avancuar të armëve “do të kërkojnë kohë”.
Një zyrtar i lartë i administratës i cili informoi gazetarët më herët për këtë çështje, tha se tanket do të dorëzohen brenda disa muajsh dhe jo javësh, por nuk dha një afat kohor të saktë. I pyetur pse administrata Biden e caktoi numrin e tankeve në 31, zyrtari tha se shifra u vendos sepse është e barabartë me një batalion tankesh ukrainase.
Trajnimi do të zhvillohet jashtë Ukrainës, tha një zyrtar tjetër.
Përveç tankeve, SHBA-ja do të sigurojë tetë automjete të blinduara M88 për Ukrainën. Automjetet M88 shoqërojnë tanket “Abrams” dhe ofrojnë mbështetje nëse dëmtohen ose ngecin dhe mundësojnë kryerjen e mirëmbajtjes në terren.
Njoftimi vjen pasi Gjermania nënshkroi dorëzimin e 14 tankeve të saj luftarake “Leopard 2A6” dhe njoftoi se do t’u lejonte vendeve të tjera që tashmë i posedojnë tanket t’i eksportojnë ato në Ukrainë. Ministria gjermane e Mbrojtjes njoftoi më pas se do të fillonte trajnimin e trupave ukrainase për tanket “Leopard” brenda disa ditësh.
Disa raportime kishin sugjeruar më herët se Berlini nuk do të pranonte të dërgonte “Leopard 2” në Ukrainë pa dërguar SHBA-ja tanket e saj “Abrams”.
Pentagoni kishte ngritur më parë vëmendjen në lidhje me furnizimin e mundshëm të tankeve për shkak të nevojës së tyre për karburant avioni, kërkesave të mëdha të mirëmbajtjes dhe trajnimit të konsiderueshëm që kërkohet për t’i përdorur ato.
I pyetur nëse Gjermania e detyroi marrjen e këtij vendimi, Biden e mohoi sugjerimin, duke thënë se “Gjermania nuk më detyroi të ndryshoja mendje”.
“Ne donim të siguroheshim që të ishim të gjithë bashkë”, tha ai.
Biden tha më herët se shefi i mbrojtjes i SHBA-së, Llyod Austin, ka mbështetur dërgesat e tankeve “Abrams”.
Presidenti amerikan falënderoi drejtpërdrejt kancelarin gjerman Olaf Scholz për vendimin e tij për të furnizuar Ukrainën me “Leopard 2”, duke thënë se Berlini do të “udhëheqë një përpjekje për të organizuar kontributin evropian prej dy batalionesh tankesh për Ukrainën”.
“Dua të falënderoj kancelarin për udhëheqjen e tij dhe angazhimin e tij të palëkundur ndaj përpjekjeve tona kolektive për të mbështetur Ukrainën. Gjermania me të vërtetë ka bërë hapin para. Kancelari ka qenë një zë i fortë për unitetin dhe mik i ngushtë”, deklaroi Biden.