Ahmet Dursun
03 Maj 2023•Përditësim: 03 Maj 2023
SHBA-ja njoftoi se një anije cisternë nafte me flamur të Panamasë u konfiskua nga Garda Revolucionare e Iranit në Ngushticën e Hormuzit, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim nga Flota e 5-të e SHBA-së me qendër në Bahrein, thuhet se "Më 3 maj, rreth orës 06:20 me orën lokale, një anije cisternë nafte me flamur të Panamasë e emërtuar 'Niovi' u konfiskua nga Flota e Gardës Revolucionare e Iranit teksa kalonte në Ngushticën e Hormuzit".
Po ashtu në deklaratë thuhet se tankeri i naftës që u largua nga Dubai u rrethua nga skafet e Ushtrisë së Gardës Revolucionare të Iranit gjatë hyrjes në Ngushticën e Hormuzit dhe më pas destinacioni i tankerit u drejtua në drejtim të brigjeve Bandar Abbas të Iranit.
Ndërkohë, nga ana e Iranit nuk është bërë ende ndonjë deklaratë lidhur me çështjen.
Irani edhe më 27 prill konfiskoi në Gjirin e Omanit një anije-cisternë të naftës me flamurin e Ishujve Marshall të emërtuar "Advantage Sweet". Në një deklaratë të bërë nga ushtria iraniane, u theksua se tankeri u konfiskua me vendim gjyqësor "me arsyen se ka shkelur rregullat ndërkombëtare detare", pasi është larguar pasi ka përplasur një anije iraniane.