Övünç Kutlu
15 Janar 2021•Përditësim: 15 Janar 2021
Kina ka kryer "krime kundër njerëzimit dhe ndoshta gjenocid" kundër ujgurëve dhe bashkësive të tjera të pakicës muslimane në provincën perëndimore Xinjiang, thuhet në një raport të Komisionit të SHBA-së të publikuar të enjten, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Qeveria kineze po punon qëllimisht për të shkatërruar ujgurët dhe familjet e pakicave të tjera, kulturën dhe përcaktimin fetar", tha Komisioni Ekzekutiv i Kongresit për Kinën (CECC) në raportin e tij vjetor për vitin 2020.
Përveç provave të reja të një politike sistematike dhe të përhapur të sterilizimit të detyruar dhe shtypjes së lindjeve të ujgurëve dhe pakicave të tjera, janë rreth gjysmë milioni fëmijë të moshës së shkollës së mesme dhe fillore, shumica e të cilëve u ndanë pa dëshirë nga familjet e tyre, njofton CECC.
Të gjitha këto prirje "duhet të merren parasysh gjatë përcaktimi nëse qeveria kineze është përgjegjëse për kryerjen e krimeve mizore, përfshirë gjenocidin kundër ujgurëve, kazakëve dhe pakicave të tjera etnike turke dhe kryesisht muslimane në Kinë", thuhet në raport.
Kina është akuzuar gjerësisht për vendosjen e ujgurëve në kampe. Rreth 1.6 milionë ujgurë janë larguar nga Kina për të jetuar jashtë, sipas Kongresit Botëror të Ujgurëve.
Grupet e të drejtave të njeriut, përfshirë Human Rights Watch (HRW) dhe Amnesty International, akuzojnë Pekinin për shtypjen e 12 milionë ujgurëve, shumica e të cilëve janë muslimanë.
Kina, megjithatë, ka mohuar në mënyrë të përsëritur akuzat për kampe ndalimi në rajonin e saj autonom veriperëndimor, duke pretenduar se ata janë duke "ri-edukuar" ujgurët.