Gözde Bayar
18 Nëntor 2019•Përditësim: 19 Nëntor 2019
SHBA ka shprehur mbështetje për popullin iranian në protestat e tij paqësore kundër qeverisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Ne dënojmë përdorimin e forcës vdekjeprurëse dhe kufizimet e mëdha të komunikimit të përdorura kundër demonstruesve", tha në një deklaratë sekretarja për media e Shtëpisë së Bardhë, Stephanie Grisham.
"Teherani në mënyrë fanatike ka ndjekur programet e armëve bërthamore dhe raketave si dhe ka mbështetur terrorizmin, duke e shndërruar një komb krenar në një histori tjetër paralajmëruese të asaj që ndodh kur një klasë qeverisëse braktis njerëzit e saj dhe fillon një kryqëzatë për fuqi personale dhe pasuri", shtoi ajo.
Protestat kanë shpërthyer në Iran që nga e premtja pasi qeveria vendosi racionim të naftës dhe rritje të çmimeve të derivateve.
Sipas agjencisë së lajmeve ISNA, një person u vra të shtunën. Guvernatori Mohammad Mahmoudabadi tha se protestuesit kanë tentuar që t'i vinin zjarrin depos së karburantit në qytetin qendror Sirjan, por u penguan nga forcat e sigurisë.
Ai tha se autoritetet iraniane ende po përpiqeshin të përcaktonin shkakun e vdekjes së protestuesit.
Mahmoudabadi tha se rendi u vendos në qytet pas intervenimit të forcave të sigurisë. Ai u bëri thirrje njerëzve që të mos u bashkohen protestave, që ai i përshkroi si "të palicencuara".
Më vonë gjatë së shtunës, protestuesit bllokuan rrugët drejt dhe nga kryeqyteti Teheran.
Sipas burimeve lokale, protestat po vazhdojnë në disa qytete, përfshirë edhe në Teheran, Fars dhe Isfahan.
Televizioni shtetëror iranian tha se protestuesit në Shiraz u vunë zjarrin dy pikave të karburantit dhe dy automjeteve policore.
Ata gjithashtu bllokuan rrugët kryesore, dëmtuan ndërtesat publike në qytet, si dhe shkatërruan kamerat e sigurisë.
Kryeprokurori iranian Mohammad Jafar Montazeri paralajmëroi se ata që qëndrojnë pas protestave do të përballen me proces juridik.
Irani është goditur nga rivendosja e sanksioneve amerikane vitin e kaluar, pasi presidenti amerikan Donald Trump tërhoqi vendin e tij nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 me Teheranin.