Servet Günerigök
10 Tetor 2019•Përditësim: 10 Tetor 2019
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) minimizuan shqetësimet e Turqisë lidhur me YPG-në, degën siriane të organizatës terroriste PKK, e cila çoi në lëvizjen e trupave turke drejt veriut të Sirisë, tha një ekspert të mërkurën, raporton Anadolu Agency (AA).
"Kjo nuk mund të zgjaste", shkroi Amanda Sloat, studiuese e shquar në Institutin Brookings, në një artikull për "The Washington Post", duke theksuar se mbështetja e SHBA-ve për YPG-në në rajon "ishte një bombë e kurdisur" që nga viti 2014.
Turqia të mërkurën filloi operacionin "Burimi i Paqes" për të siguruar kufijtë e saj duke eleminuar elementet terroriste, për të mundësuar kthim të sigurt për refugjatët sirianë dhe integritetin territorial të Sirisë.
Turqia ka paralajmëruar se organizata terroriste PKK dhe dega e saj YPG/PYD paraqesin kërcënim të madh për të ardhmen e Sirisë, duke rrezikuar integritetin territorial dhe strukturën unitare të saj.
Aso kohe ish-presidenti i SHBA-ve, Barack Obama, gjithashtu nuk mbështeti kërkesat e Turqisë për të krijuar një zonë të sigurt me qëllim të largimit të terroristëve të YPG-së nga kufiri i saj, tha Sloat, duke shtuar se edhe propozimi tjetër i Ankarasë për krijimin e një force nga grupet e opozitës siriane gjithashtu ishte hedhur poshtë nga administrata e Obamës.
Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-të dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e rreth 40 mijë personave, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja.
Sloat tha se Washingtoni nuk e kishte kategorizuar YPG-në si qenie terroriste. "Të dyja grupet operojnë nën të njejtën strukturë komanduese, dhe luftëtarët lëvizin lirshëm mes tyre. Në fakt, YPG ishte efektive ushtarakisht për shkak të eksperiencës së anëtarëve të saj në Turqi", shkroi ajo.
Ajo gjithashtu përkujtoi se YPG u përpoq të bashkojë tre kantone të Sirisë veriore në një rajon të vetëm autonom.
"Ky territor, sidoqoftë, kufizohet me pjesën juglindore të Turqisë, ku jetojnë shumica e popullatës kurde. Shqetësimi i Turqisë ishte se mbështetja e SHBA-ve në forcimin e YPG-së në Siri, mund të inkurajonte PKK-në të riniste konfliktin në vend", theksoi Sloat.
Ajo tha se SHBA duhet të ruaj marrëdhëniet me Turqinë pavarësisht se është "një aleat sfidues".
"Mbetet një aleat i rëndësishëm me shumicë muslimane në një rajon kritik. Dhe duke pasur parasysh gjeografinë e saj, është e qartë se ajo ka interes për një Siri të qëndrueshme".
Që nga viti 2016, Turqia ka ndërmarrë dy operacione të mëdha në Sirinë veriperëndimore, operacionin "Mburoja e Eufratit" dhe operacionin "Dega e Ullirit", për të pastruar rajonin nga prania e organizatave terroriste DEASH dhe YPG.