Büşra Selvi Öğütcen
27 Korrik 2020•Përditësim: 27 Korrik 2020
Një person është plagosur me armë zjarri në qytetin Denver të Kolorados në SHBA, gjatë protestave kundër racizmit dhe dhunës së policisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zyrtarët e policisë njoftuan se një person në rrethin Aurora të Denver ka drejtuar automjetin në drejtim të protestuesve, pas së cilës njëri nga protestuesit e ka qëlluar me armë duke e plagosur atë.
Zyrtarët bëjnë të ditur se i plagosuri është dërguar në spital, duke mos dhënë më shumë detaje.
Ende nuk dihet vallë i plagosuri është ai që e ka drejtuar automjetin drejt protestuesve.
Gjithashtu zyrtarët thonë se protestuesit kanë shkaktuar "dëme të mëdha" në ndërtesën e gjykatës.
- Në protestat në Louisville të pranishëm milicitë afroamerikane me armë të rënda
Sipas lajmeve të mediave amerikane, në protestat e organizuara gjatë fundjavës në qytetin Louisville të shtetit Kentucky, një grup i përbërë prej afroamerikanëve me armë të rënda zhvilluan marshim.
Mësohet se grupi në fjalë është koalicioni NFAC.
Milicitë me uniforma të zeza të paramilitarëve dhe me armë gjysmë-automatike dhe armë gjuetie kërkuan drejtësi për afroamerikanen Breonna Taylor e vrarë nga policia në shtëpinë e saj në muajin mars.
Ndërkohë policia e ndau rrugën në dy pjesë për të parandaluar përballjen e një grupi tjetër të armatosur me milicinë.
Sipas lajmit të BBC, 3 persona janë plagosur pasi një anëtar i milicisë gabimisht ka hapur zjarr.
Afro-amerikani Goerge Floyd humbi jetën nga asfiksimi në muajin maj pasi një polic i bardhë i vuri gjurin në qafë për disa minuta gjatë arrestimit, përkundër përgjërimeve dhe fjalëve të tij të fundit "Nuk mund të marrë frymë", që u bënë slogan i protestave mbarëkombëtare dhe mbarëbotërore.
Ndërsa afro-amerikanja 26-vjeçare Breonna Taylor u qëllua për vdekje në muajin mars në shtëpinë e saj nga policia.