Kasım İleri
03 Dhjetor 2022•Përditësim: 03 Dhjetor 2022
Ushtria e SHBA-së nxori nga hangari avionin e saj bombardues "B-21 Raider" i cili zhvillohet prej 7 vitesh, transmeton Anadolu Agency (AA).
Avioni "B-21 Raider" i cili do të zëvendësojë avionët bombardues "B-2" dhe "B-1 Lancer" të Forcave Ajrore të SHBA-së dhe i cili prodhohet nga kompania "Northrop Grumman", u prezantua me një ceremoni në qytetin Palmdale të Kalifornisë ku morën pjesë mbi 600 të ftuar të nivelit të lartë, përfshirë edhe sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Lloyd James Austin.
Në një fjalim në prezantimin e avionit që zhvillohet prej 7 vitesh, Austin tha se "Nëse do të flasim rreth distancës së 'B-21', asnjë avion tjetër bombardues me distancë të gjatë nuk mund të matet me efikasitetin e tij. Nuk do të nevojitet që të vendoset në zonën e luftës. Nuk do të ketë nevojë për ndonjë mbështetje logjistike për asnjë objektiv të tij".
Sekretari Austin shpjegoi se këtij avioni i janë shtuar përparimet e 50 viteve në teknologji, përfshirë shikueshmërinë e ulët ndaj tij. "Madje, edhe sistemet më të zhvilluara të mbrojtjes ajrore do të kenë vështirësi në përcaktimin e një 'B-21' në qiell", tha ai.
Avioni i ri me distancë të gjatë fluturon pa u zbuluar nga radarët e avancuar dhe sistemet e mbrojtjes ajrore kudo në botë dhe do të mund të mbajë edhe armë konvencionale edhe bërthamore.
- "B-21 Raider", fluturimin e parë do ta kryejë në mesin e vitit 2023
Fluturimi i parë i avionit do të kryhet në mesin e 2023 ndërsa fluturimin testues do ta fillojë në Edwards AFB në Kaliforni.
Kompania prodhuese ka njoftuar se aktualisht ka gjashtë avionë "B-21" në faza të ndryshme të prodhimit dhe se kanë përdorur "materiale dhe teknika prodhimi të reja" për këto avionë të cilët do të kenë "fshehtësinë e gjeneratës së re".
Forcat Ajrore kanë planifikuar të blejnë të paktën 100 avionë të rinj bombardues.