Nuri Aydın
31 Tetor 2019•Përditësim: 31 Tetor 2019
Komanda e Forcave Qendrore të SHBA-ve (CENTCOM) publikoi pamjet e operacionit ku u vra kreu i organizatës terroriste DEASH, Abu Bakr Al-Baghdadi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmit të BBC-së, komandanti i CENTCOM, gjenerali Kenneth McKenzie, në një konferencë për media në Pentagon ka ndarë pamjet e para lidhur me operacionin kundër Baghdadit.
"Në video shihet se si Baghdadi hyn në një tunel dhe vetëvritet duke shpërthyer jelekun vetëvrasës", tha gjenerali McKenzie duke theksuar se "Baghdadi me dy fëmijë hyri në një vrimë dhe hodhi veten në ajër. Duke parë këtë akt mund ta kuptoni se çfarë njeriu ishte".
Ai tha se janë neutralizuar edhe 4 gra dhe një burrë që u përcaktuan se veshën jelekun vetëvrasës ndërsa pas operacionit ndërtesa u shkatërrua me shpërthyes.
McKenzie njoftoi se nuk është përcaktuar plotësisht numri i personave të vrarë në operacion. "Lidhur me sekondat e fundit të Baghdadit nuk mund të konfirmoj asgjë tjetër. Pavarësisht se ishte një sulm me profil të lartë dëshiroj të theksoj qartë se janë treguar të gjitha përpjekjet për të mënjanuar humbjen e civilëve dhe për të mbrojtur fëmijët e dyshuar që mund të ndodheshin në rajon", tha ai.
Vdekja e Baghdadit është konfirmuar nga testi i ADN-së së marrë në kohën kur ai mbahej në një burg në Irak në vitin 2004. Mbetjet e trupit janë dërguar në bazë për ekzaminim dhe ai është varrosur në thellësi të detit brenda 24 orëve pas vdekjes, tha McKenzie.
Në anën tjetër pasi paralajmëroi se anëtarët e organizatës mund të kryejnë sulme pas vdekjes së Baghdadit, McKenzie tha se "Kemi dyshime për përpjekje të sulmeve hakmarrëse. Për këtë jemi të përgatitur".
Kreu terrorist Al-Baghdadi u vra gjatë një operacioni të ndërmarrë me 8 helikopterë nga forcat speciale amerikane në veri të Idlibit.
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump deklaroi se Al-Baghdadi vdiq bashkë me tre fëmijët pranë tij duke shpërthyer jelekun vetëvrasës që kishte mbi trup pasi hyri në njërin prej tuneleve pa dalje poshtë shtëpisë ku ndodhej.