Mücahit Oktay
17 Dhjetor 2021•Përditësim: 18 Dhjetor 2021
Bordi këshillues i shkencëtarëve të Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) të SHBA-së rekomandoi vaksinat Pfizer-BioNTech ose Moderna në vend të vaksinave Johnson & Johnson, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në takimin e Bordit këshillues të shkencëtarëve që u mbajt nën strukturën e CDC thuhet se në vend të vaksinës Johnson & Johnson e cila edhe pse rrallë mund të shkaktojë mpiksje gjaku do të jetë më e përshtatshme të jepen vaksinat Pfizer-BionNTech ose Moderna.
Këshilltarët e CDC thanë se problemi i mpiksjes së gjakut nga vaksinat Johnson & Johnson ka shkaktuar vdekjen e 9 personave në vend ndërsa tek vaksinat e tjera është vërejtur se nuk bartin një rrezik të tillë dhe se janë më efektive.
Dr. Isaac See nga CDC në një deklaratë më parë tha se tek femrat dhe meshkujt që kanë marrë vaksinën Johnson & Johnson janë vërejtur 54 raste të mpiksjes së gjakut, se për këtë arsye 9 persona dy prej të cilëve meshkuj kanë humbur jetën dhe dyshohet që edhe dy vdekje të tjera mund të kenë ndodhur për të njëjtën arsye.
Drejtoresha e CDC, Rochelle Walensky duhet të vendosë nëse do të zbatohet apo jo ky vendim rekomandues i cili është regjistruar si "veprim i pazakontë".
Më shumë se 200 milionë amerikanë konsiderohen të vaksinuar plotësisht, përfshirë edhe rreth 16 milionë persona që janë vaksinuar me Johnson & Johnson që nga hedhja e vaksinave në treg një vit më parë.