Mücahit Oktay
10 Tetor 2022•Përditësim: 11 Tetor 2022
Organizata jofitimprurëse për të pastrehët dhe të varurit nga narkotikët, Prevention Point Philadelphia (PPP), bëri të ditur se është në rritje përdorimi i narkotikëve në atë rajon, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zyrtarët e PPP-së në Philadelphija të cilët ndihmojnë të pastrehët në rajonin Kensington, siç njihet si tregu më i madh i heroinës në pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara, thanë se kanë mbledhur më shumë shiringa të përdorura nga sa janë shpërndarë të pastra në qytet në 12 muajt e fundit, gjë që tregon për rritjen e numrit të përdoruesve.
Raporti thekson se një situatë e tillë është regjistruar për herë të parë në 30 vite, që kur është themeluar organizata.
Ekipi i AA-së në teren regjistroi qindra njerëz, kryesisht të pastrehë, ndërsa shpohen me gjilpëra duke u droguar në rrugë në zonën Kensingtone.
Drejtori i Përgjithshëm i PPP-së, Jose Benitez, deklaroi se statistika e rritjes së konsumit të drogës është pasojë e pandemisë COVID-19, dhe se në qytet numri i personave të varur që marrin ndihmë nga organizatat jofitimprurëse vitin e thuajse është trefishuar.
Sipas vlerësimeve, mbi 5.200 janë mbidozuar me narkotikë dhe kanë vdekur që nga fillimi i pandemisë COVID-19 në shtetin amerikan të Pennsylvania-s.
Fentanil, lloj i ilaçit që përdoret kundër dhimbjeve, 50 deri 100 herë më i fuqishëm se morfina, është ranguar si shkaku kryesor i vdekshmërisë së mbidozimit në Shtetet e Bashkuara që nga viti 2013, sipas të dhënave të Institutit Kombëtar amerikan të Shëndetit (NIH).