Dilara Karataş
31 Gusht 2023•Përditësim: 31 Gusht 2023
SHBA-ja njoftoi se është thellësisht e shqetësuar për grusht shtetin në Gabon të Afrikës, transmeton Anadolu.
"Ne kundërshtojmë fuqimisht çdo marrje ushtarake ose ndryshim jokushtetues të pushtetit", tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller në një deklaratë.
Duke bërë thirrje për lirimin e zyrtarëve qeveritarë në Gabon, Miller theksoi se rezultatet e zgjedhjeve duhet të respektohen dhe shqetësimet duhet të adresohen përmes dialogut.
Miller shprehu shqetësimin e tij të thellë për grusht shtetin ushtarak që ndodhi në Gabon.
Ushtria merr pushtetin
Në Gabon të Afrikës Qendrore, një grup ushtarakësh, të cilët hynë në ndërtesën e televizionit kombëtar dje herët në mëngjes, njoftuan se kanë marrë pushtetin.
Administrata ushtarake e quajtur "Komiteti për Tranzicionin dhe Rivendosjen e Institucioneve (CTRI)" njoftoi se zgjedhjet e mbajtura më 26 gusht u anuluan dhe kufijtë e vendit u mbyllën. Komandanti i Gardës së Republikës, gjenerali Brice Oligui Nguema, u soll në udhëheqjen e CTRI.
Presidenti Ali Bongo Ondimba fitoi në zgjedhjet presidenciale më 26 gusht për herë të tretë. Në orët e fundit të procesit të votimit në vend u vendos një shtetrrethim me arsyetimin e "dhunës" dhe u kufizua interneti, ndërkohë që procesi i numërimit të votave vazhdonte.
Omar Bongo u zgjodh për herë të parë president në vitin 1967 dhe kur ndërroi jetë në vitin 2009, djali i tij Ali Bongo u bë president i vendit.
Familja Bongo sundoi Gabonin për 56 vjet.