Mohamad Misto
10 Korrik 2017•Përditësim: 11 Korrik 2017
HASEKE/ANKARA (AA) - Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) me arsyetimin për luftën kundër DEASH-it vazhdojnë ndihmat ushtarake për organizatën terroriste PYD/PKK në Siri. Në dërgesat e kryera javën e fundit për elementët e organizatës në veri të Rakas janë dërguar afërsisht 184 maune, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacioneve të marra nga gazetari i AA-së në Haseke, mësohet se afërsisht 184 maune me municione dhe pajisje ushtarake kanë hyrë duke kaluar nga kufiri me Irakun në rajonin Haseke, i cili ndodhet nën kontrollin e organizatës. Bëhet e ditur se 82 maune janë dërguar më 5 korrik dhe 102 të tjera më 9 korrik.
Në autokolonë kanë tërhequr vëmendjen tankeret e karburantit dhe automjetet e blinduara Hummer, ku gjithashtu burimet bëjnë të ditur se dërgesat janë kryer në kuadër të "lëvizjes së fundit përgatitore" për të marrë Rakan nga DEASH-i.
Ndër të tjera bëhet e ditur se në rajonin e PYD/PKK-së janë dërguar 60 maune më 5 qershor, 20 maune më 12 qershor, 50 maune më 16 qershor dhe 120 maune më 21 dhe 26 qershor.
Sipas dokumentit që gazetari i AA-së ka marrë nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes (Pentagon), theksohet se në listën e armëve që do t'u jepen grupeve në Siri brenda të cilëve ndodhen edhe PYD/PKK-ja përfshihen 12 mijë pushkë të markës kallashnikov, 6 mijë armë automatike, 3.500 armë të rënda automatike, 3 mijë copë RPG-7 prodhim amerikan si dhe 1000 copë anti-tank AT-4 prodhim amerikan ose SPG-9 prodhim rus.
Gjithashtu në të njëjtin kuadër do të jenë edhe 235 predha topi të kalibrave të ndryshëm, 100 pushkë snajper, 450 copë dylbi të tipit PV-7 për pamje nate si dhe 150 copë ndriçues lazer me infra të kuqe.
Operacioni "Vendosmëria Natyrale" e forcave të detyrës së bashkuar të udhëhequr nga SHBA-të ishte njoftuar për fillimin e operacionit në Raka (drejt qendrës së qytetit) që nga 6 qershori. Por, dihet se SHBA-të kanë dërguar ndihma ushtarake për PYD/PKK-në që nga prilli i vitit 2016 e deri më tani.