Dilara Hamit
01 Mars 2022•Përditësim: 01 Mars 2022
Ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu dhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në një bisedë telefonike ka diskutuar gjendjen humanitare në Ukrainë, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Në bisedën time telefonike me ministrin turk të jashtëm, Mevlüt Çavuşoğlu, rikonfirmova dënimin e SHBA-së për veprimet e Rusisë dhe theksova se ne do të vazhdojmë koordinimin tonë të ngushtë në mbështetje të Ukrainës, sovranitetit dhe integritetit territorial të saj”, shkroi Blinken në llogarinë e tij në twitter.
Po ashtu edhe ministri Çavuşoğlu njoftoi se gjatë telefonatës ata diskutuan zhvillimet e fundit në Ukrainën e shkatërruar nga lufta dhe situatën humanitare atje. Ai tha se të dy theksuan rëndësinë e një armëpushimi.
Që nga fillimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës të enjten e kaluar, ajo ka tërhequr dënime nga komuniteti ndërkombëtar, me Bashkimin Evropian (BE), Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA-në që po zbatojnë një sërë sanksionesh ekonomike ndaj Rusisë.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Ukrainës, në këtë luftë mbi 350 civilë janë vrarë dhe mbi 1.600 të tjerë janë plagosur.
Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara (OKB) kanë njoftuar se më shumë se 500 mijë ukrainasë janë larguar nga vendi.