Asiye Latife Yılmaz
06 Shkurt 2026•Përditësim: 06 Shkurt 2026
Zyrtarë të lartë iranianë dhe amerikanë po takohen sot në Oman për të diskutuar programin bërthamor të Iranit, në një kohë tensionesh në rritje dhe të shtimit të pranisë ushtarake amerikane, ndërsa raportohet se në bisedime do të marrë pjesë edhe kreu i Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), sipas gazetës "The Wall Street Journal", transmeton Anadolu.
Washingtoni po rinis kontaktet diplomatike me Teheranin për herë të parë që nga lufta 12-ditore e qershorit me Izraelin, e cila përfundoi me një sulm amerikan ndaj objekteve bërthamore, ndërkohë që po forcon praninë ajrore dhe detare pranë Iranit dhe paralajmëron për veprime të mundshme lidhur me programin bërthamor të Teheranit.
Sipas raportimit të "The Wall Street Journal", duke cituar një zyrtar amerikan, delegacioni do të përfshijë admiralin Brad Cooper, komandant i forcave amerikane në Lindjen e Mesme, megjithëse ende nuk ka një konfirmim zyrtar.
Ndërsa zyrtarët e Departamentit të Mbrojtjes zakonisht nuk marrin pjesë në bisedime diplomatike të nivelit të lartë, Trump më herët ka dërguar udhëheqës të lartë ushtarakë në negociata.
Sipas agjencisë shtetërore iraniane të lajmeve IRNA, ministri i Jashtëm Abbas Araghchi shoqërohet nga zëvendësministri për Çështje Politike Majid Takht-Ravanchi, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Esmaeil Baghaei, zëvendësministri për Çështje Ekonomike Hamid Ghanbari, si dhe diplomatë të tjerë iranianë.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë se i dërguari special për Lindjen e Mesme Steve Witkoff dhe dhëndri dhe këshilltari i presidentit Donald Trump, Jared Kushner, do ta përfaqësojnë Washingtonin në bisedimet me Iranin.