Ekip
10 Tetor 2017•Përditësim: 11 Tetor 2017
BARCELONË (AA) – Presidenti i Katalonjës, Carles Puigdemont, propozoi shtyrjen e shpalljes së pavarësisë së Katalonjës për t’i dhënë mundësi dialogut, raporton Anadolu Agency (AA).
“Sot, këtu, qëndroj para Katalonjës dhe botës. Po jetojmë në një moment historik. Spanja tentoi neve të na bëj të vegjël, por Katalonja është pjesë e Evropës. Nuk do të kërcënoj, momenti është serioz. Doemos duhet të marrim përgjegjësi. Të gjithë ne jemi një popull, por ka gjëra rreth të cilave nuk pajtohemi. Historinë e këtij populli e drejtoi vet populli. Nuk pajtohemi rreth gjithçka, por e kuptojmë se doemos duhet respektuar paqja dhe demokracia, njerëzit që mendojnë ndryshe nga ne. Doemos duhet të kemi dialog”, tha Puigdemont në fjalimin para Parlamentit rajonal të Katalonjës.
Ai theksoi se ditëve të fundit ka dashur të dëgjojë mendimin e shumë njerëzve me të cilët ka biseduar lidhur me zhvillimet në Katalonjë.
“Ditëve të fundit më janë afruar shumë njerëz, respektoj të gjithë propozimet, të gjitha mi kanë hapur pikëpamjet. Kam kërkuar edhe mendimin e një numri të madh të njerëzve për këtë. Ju faleminderit të gjithëve, por ta dini, ky nuk është vendim personal, ky është rezultat i referendumit dhe vullneti i Qeverisë sonë. Kremtuam këtë referendum, meqë thamë se do ta mbajmë”, tha Puigdemont.
Ai theksoi se katalanasit kishin mundësi të votojnë ndonëse, siç tha, dikush tentoi të pamundësojë referendumin. “Kurrë nuk do të harrojmë pamjet e dhunës policore, kurrë. Atë që shteti e bëri ka shqetësuar katalanasit, ka shumë prej atyre që edhe sot janë të frikësuar. Që tani ka kompani që flasin për shpërnguljen nga Katalonja. Kjo nuk do të kishte efekt të madh në ekonominë tonë, por paratë e mëdha që dërgojmë në Madrid, kjo ka efekt. Dëshiroj të qetësoj të gjithë të shqetësuarit. Qeveria katalonse edhe më tej do të përfaqësojë tolerancën dhe respektin ndaj të tjerëve, kjo është përgjegjësia ime si president”, tha presidenti i Katalonjës.
Në fund tha se katalonasit janë ata që doemos duhet të përcaktojnë të ardhmen e tyre, e jo Madridi.
“Tetëmbëdhjetë herë kemi tentuar të organizojmë referendum sikur ai në Skoci, tetëmbëdhjetë herë. Nëse ishte e mundur në Britani të Madhe, pse nuk është e mundur në Spanjë? Me vite kërkojmë lirinë e vendosjes, por nuk kemi arritur të gjejmë bashkëfolës në pushtet, madje as tani. Shpresa jonë e fundit ka qenë që mbretëria të jetë ndërmjetësues në negociatat, por javën e kaluar edhe ajo shpresë dështoi. Vazhdojmë të vendosim theksin në negociata. Nuk kemi asgjë kundër Spanjës, përkundrazi, dëshirojmë të avancojmë marrëdhëniet. Tani marrëdhëniet janë në krizë. Fituam të drejtën e referendumit që të jemi shtet i pavarur dhe të na dëgjojnë. Atë e dëshirojmë! Të na respektojnë dhe të dëgjojnë zërin tonë”, tha Puigdemont, duke shtuar se përshëndet thirrjet për dialog.
Rikujtojmë se në Katalonjë më 1 tetor u mbajt referendum për pavarësi nga Spanja. Qeveria katalanase njoftoi se mbi 90 për qind e njerëzve, të cilët dolën në referendum, votuan pro shkëputjes nga Spanja, ndërsa Qeveria qendrore në Madrid e shpalli jokushtetues. Dalja në referendum ishte 43 për qind.