Berk Kutay Gökmen
23 shtator 2026•Përditësim: 23 shtator 2026
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë në një dokument të paraqitur në gjykatë të martën se presidenti amerikan Donald Trump konstatoi se CNN, MS NOW dhe Politico kishin shkelur standardet e sjelljes së administratës, duke çuar në largimin e tyre nga ambientet, transmeton Anadolu.
Sipas "The New York Times", shkeljet e pretenduara përfshijnë "përhapjen e gënjeshtrave të verifikueshme për sigurinë kombëtare dhe çështje të tjera si dhe publikimin e informacioneve të ndjeshme ose të klasifikuara".
"Qasja në Shtëpinë e Bardhë është privilegj, jo e drejtë", thuhet në dokument ku argumentohet se vendimi i Trumpit nuk shkel Amendamentin e Parë dhe është në përputhje me një histori të gjatë të presidentëve që u kanë dhënë disa gazetarëve qasje të privilegjuar.
Në dokument thuhet se vendimi është paraprak, duke u dhënë tri mediave afat deri të premten për ta kundërshtuar atë. Mosmarrëveshja filloi të premten e kaluar, kur Trump njoftoi në Truth Social, platformën në pronësi të tij, se do t’i ndalonte këto media, duke argumentuar se ato "nuk duhet të jenë në gjendje të shkruajnë apo raportojnë vazhdimisht trillime dhe gënjeshtra".
Të shtunën në mëngjes, gazetarëve të CNN, MS NOW dhe Politico iu mohua hyrja në ambientet e Shtëpisë së Bardhë dhe atyre iu konfiskuan kartat e akreditimit. Deri të hënën, organizatat mediatike kishin ngritur padi, duke argumentuar se "ndalimi diskriminon hapur mbi bazën e këndvështrimit editorial" dhe shkel të drejtat e tyre sipas Amendamentit të Parë.