Levent Tok
11 Shtator 2017•Përditësim: 12 Shtator 2017
STAMBOLL (AA) - Organizata terroriste DEASH brenda dy ditëve është zbrapsur deri në 45 kilometra në qytetin Dejrizor në kufirin mes Sirisë dhe Irakut, pa luftuar kundër organizatës terroriste PKK/PYD në këtë qytet, raporton Anadolu Agency (AA).
PYD, e cila është degë e organizatës terroriste PKK në Siri, është duke avancuar me shpejtësi në verilindje të zonës periferike të Dejrizorit në lindje të Sirisë, në kuadër të operacionit që filloi dy ditë më parë me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Sipas të dhënave të siguruara nga burime lokale, organizata terroriste DEASH është duke u tërhequr me shpejtësi në drejtim të jugperëndimit nga zona rurale e qytetit, pasi mbante të okupuar pjesën më të madhe të saj.
Në saje të tërheqjes së DEASH-it, PKK/PYD ka avancuar rreth 45 kilometra që nga dita e shtunë, pa hyrë aspak në konflikt.
Rajonet Bir Dumajn, Huxhejf Zarrab, Alixhe, Fajdat ez-Zarrab, Vadi El Humejr, Ebu Sakira, zona industriale në veri të qytetit dhe disa rajone të tjera, kanë kaluar nën kontrollin e PKK/PYD-së.
Njësi të organizatës terroriste PKK/PYD janë afruar gjashtë kilometra në afërsi të qendrës së Dejrizor-it, e cila gjendet nën kontrollin e forcave të regjimit të Beshar Asadit.
Pjesa më e madhe e Dejrizorit, ku para luftës civile jetonin rreth 230 mijë banorë, u mor nga DEASH në korrik të vitit 2014.
DEASH kontrollonte zonën rurale të qytetit, ndërsa mbante nën rrethim forcat e regjimit.
Forcat e regjimit më 5 shtator avancuan nga perëndimi dhe arritën në qendër të qytetit, duke thyer rrethimin e DEASH-it.
Megjithatë, forcat e regjimit, të mbështetura nga Rusia, nuk e vazhduan avancimin.
Kjo gjendje shkaktoi komente se lumi Eufrat, që kalon në mes të këtij qyteti, mund të jetë kufiri i ndarjes mes regjimit dhe PKK/PYD-së.
SHBA-të dhe Rusia nuk kanë bërë ndonjë deklaratë zyrtare lidhur me atë nëse ekziston tregti ose marrëveshje lidhur me Dejrizorin.