Mehmet Ayduran
09 dhjetor 2016•Përditësim: 10 dhjetor 2016
HALEP (AA) – Edhe pse Rusia ka njoftuar se regjimi i Bashar al Asadit dhe mbështetësit e tij i kanë ndërprerë sulmet në Halep të Sirisë dhe është bërë evakuimi i mijëra civilëve, regjimi ende vazhdon me bombardimet. Që nga mbrëmja e djeshme e deri më tani, në rajon nuk është ndërmarrë asnjë operacion për evakuim, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri i Jashtëm i Rusisë Sergei Lavrov ditën e djeshme pas takimit me Sekretarin Amerikan të Shtetit John Kerry në Hamburg deklaroi se regjimi u ka dhënë pushim operacioneve ushtarake në Halep me qëllim që të bëhet evakuimi i civilëve.
Ministria Ruse e Mbrojtjes po ashtu doli me deklaratë të re, duke pohuar se se në rajon janë evakuuar 8.500 civilë, prej të cilëve 2.900 fëmijë, dhe se numër i madh i milicëve kanë lënë armët dhe janë dorëzuar, ndërsa më pas janë falur nga ana e Asadit.
Megjithatë, sipas njoftimeve nga gazetarët e AA-së në Halep, sulmet me artileri kanë filluar sërish pas një pauze të shkurtër pas deklaratës së Lavrovit. Në lagjet Firdevs dhe Shejh Said nga helikopterët janë hedhur mina detare.
Bombardimet të cilat kanë vazhduar deri në orët e mëngjesit, pas një pushimi disaorësh kanë filluar sërish.
Në ndërkohë, ushtria e Asadit dhe milicët shiitë po qëllojnë nga toka dhe ajri rajonet Zibdiye, Shejh Sait, Jusuf, Sejf el-Devle, Xhub Shelebi, Firdevs, Bustan el Kasr, Sukkeri dhe Maadi.
Nuk ka evakuim të civilëve
Gazetarët e AA-së kanë konfirmuar përmes burimeve të ndryshme në Halep se civilët ende nuk janë evakuuar dhe se luftëtarët nuk janë larguar nga zona.
Muhammed Shejh, njëri nga komandantët e Ushtrisë së Lirë Siriane në Halepin lindor, tha për gazetarin e AA-së se nga zona nuk janë evakuuar as civilë e as luftëtarë, porse sulmet e regjimit vazhdojnë pa e humbur intensitetin.
Ndërkohë, zyrtari i ekipit të Mbrojtjes Civile në Halep Mahmud Navlo deklaroi se “Pohimet e Rusisë nuk janë të vërteta. Informacionet se disa opozitarë i janë dorëzuar regjimit së bashku me armët e tyre nuk janë të sakta. Ata nuk i kanë lënë armët. Këto janë gënjeshtra dhe lojëra".
Muhammed Muslim Ebu Velid, i cili punon për revistën Aynun Ala Vatan, tha se sulmet ajrore po vazhdojnë pa ndërprerje.
Në bisedën gjatë së cilës dëgjohej qartë zhurma nga bombardimet, Velid tha:
“Armëpushimi të cilin e përmendën Rusia dhe të tjerët asnjëherë nuk u zbatua. Regjimi dhe Rusia i shënjestrojnë civilët. Avionët ushtarakë akoma enden në qiell. Nuk ka asnjë korridor për civilët. Përkundrazi, ata po i shënjestrojnë civilët. Gjithsesi, personat që duan të shkojnë në këto korridore për kalim shënjestrohen nga avionët, artileritë dhe snajperët. Dua të them se nuk ka armëpushim. Zhurmën e avionëve po e dëgjoni edhe ju. Aktualisht, avionët ushtarakë po synojnë lagjen El Maadi të Halepit. Në fakt, avionët ushtarakë po i synojnë të gjitha zonat e opozitarëve në Halep dhe po i sulmojnë në mënyrë spontane dhe pa mëshirë. Njerëzit dhe të plagosurit ngelin në një vend dhe nuk mund të lëvizin. Dëshirojmë të nxjerrim të sëmurit por nuk ka kush të na dëgjojë".
Heshtja e regjimit
Edhe pse gjatë deklaratës së tij të djeshme Lavrov deklaroi se ushtria e regjimit do t’i shpalosë detajet në lidhje me pauzën e sulmeve, administrata e Asadit nuk ka dhënë asnjë deklaratë.
Nga ana tjetër, vijnë informacione se shumë civilë të cilët po qëndrojnë në lagjet e marra nga regjimi apo të cilët nuk po mund të dalin, kanë filluar të transportohen në zona të ndryshme. Mediat e Asadit kanë filluar ta reflektojnë gjendjen e banorëve që janë nxjerrë nga shtëpitë në zonat e kontrolluara nga regjimi në formën si “civilët po evakuohen”.
Mbi 200 mijë civilë të frikësuar nga masakra
Mbi 200 mijë civilë janë duke qëndruar në sipërfaqe prej 15 kilometrash katrorë që kontrollohen nga opozitarët në Halepin lindor.
Dhjetëra mijëra familje që kanë ngelur të rrezikuar nga sulmet e dhunshme ajrore dhe tokësore të regjimit dhe mbështetësve që nga 15 nëntori, jetojnë me shpresën se do të evakuohen në mënyrë të sigurtë.
Familjet po presin siguri themelore, siç është siguria e jetës gjatë kalimit në zonën e regjimit, mosarrestimi apo mosrekrutimi i detyruar i meshkujve në ushtrinë e regjimit, lejimi për të shkuar në zona të sigurta dhe mosndarja e anëtarëve të familjes.
