Halil İbrahim Başer
20 Gusht 2016•Përditësim: 20 Gusht 2016
STAMBOLL (AA) – Rreth 400 mijë njerëz në Halep të Sirisë janë duke pritur ndihmat humanitare, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryetari i organizatës humanitare turke IHH, Bulent Yildirim tha se Halepi shpesh është objektiv i sulmeve ajrore dhe sulmeve të tjera. Ai kujton se në Halep një numër i madh i ndërtesave janë shkatërruar, dhe për shkak të mungesës së paisjeve adekuate tërheqja e njerëzve nga rrënojat është vështirësuar. Përveç kësaj, problem paraqet edhe numri i pamjaftueshëm i ambulancave, por edhe spitalet nuk janë të pajisura për të trajtuar pacientët.
Sipas tij, IHH vazhdon të shpërndajë ndihma në Halep.
"Në fazën e parë kemi shpërndarë pako me miell, perime, fruta dhe ushqime të tjera. Në Halep kishte furra për prodhimin e bukës ku ne kemi dërguar miell. Ata nuk kanë nevojë vetëm për ushqim, ata kanë nevojë për çdo gjë. Njerëzit me të vërtetë vuajnë. Ata kanë nevojë për makina për pastrim. Avionët bombardojnë pa mëshirë, por pavarësisht kësaj ne kemi ekipe për shpëtim atje. Halepi me të vërtetë ka nevojë për ndihmë", ka thënë Yildirim i cili shtoi se pas thyerjes së rrethimit të Halepit, janë marrë edhe disa zona ku ishin të vendosura trupat e regjimit.