Dilara Hamit
28 tetor 2026•Përditësim: 28 tetor 2026
Skuadra e kategorisë së katërt në futbollin anglez, Fleetwood Town shkaktoi një nga befasitë më të mëdha në historinë e Kupës së Ligës angleze, duke eliminuar Arsenalin, kampionin e Premierligës, pas ekzekutimit të penaltive, raporton Anadolu.
Fleetwood fitoi 5-3 në serinë e penaltive në stadiumin "Highbury", pasi ndeshja e raundit të katërt përfundoi 1-1 pas kohës së rregullt, duke u kualifikuar për herë të parë në çerekfinale të këtij kompeticioni.
Liga Angleze e Futbollit bëri të ditur se skuadra vendase e nisi ndeshjen 84 pozita më poshtë se Arsenali në hierarkinë e futbollit anglez. Aaron Loupalo-Bi i dha Fleetwoodit epërsi befasuese në minutën e 21-të, duke mposhtur adoleshentin e Arsenalit, Marli Salmon, përpara se të shënonte kundër portierit Illan Meslier, i cili po debutonte.
Arsenali kontrolloi posedimin e topit pas pësimit të golit, por pati vështirësi t'i konkretizonte rastet përballë mbrojtjes së organizuar të Fleetwoodit.
Mikel Arteta aktivizoi kapitenin Martin Odegaard në pushim të pjesëve ndërsa Viktor Gyokeres barazoi pesë minuta pas rifillimit të lojës. Sulmuesi suedez shënoi nga afërsia pas një aksioni ku u përfshi 18-vjeçari Ceadach O'Neill, i cili po luante për herë të parë si titullar me ekipin e parë të Arsenalit.
Skuadra mysafire e shtoi presionin me kalimin e pjesës së dytë, por portieri Jay Lynch i ndali vazhdimisht përpjekjet e saj. Ai bëri pritje të rëndësishme në fund ndaj Ben White dhe Odegaard, duke e çuar ndeshjen në serinë e penalltive.
Arsenali e përfundoi ndeshjen me 10 lojtarë, pasi 16-vjeçari Max Dowman u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 85-të, pasi reagoi duke goditur me këmbë pas një ndërhyrjeje të mesfushorit të Fleetwoodit, Harrison Neal.
Fleetwood i realizoi të pesë penaltitë përmes Ronan Coughlan, Neal, Will Davies, Andy Cannon dhe Conor Haughey.
Odegaard, Kai Havertz dhe Gyokeres shënuan tri penaltitë e para për Arsenalin, por Lynch priti penaltinë e katërt, të ekzekutuar nga zëvendësuesi Bruno Guimaraes. Më pas, Haughey shënoi penaltinë vendimtare, duke nxitur hyrjen e tifozëve në fushë dhe festimet e mbështetësve vendas.
Ndeshja ishte ndërprerë pak pas fillimit, pasi një dron i paautorizuar fluturoi mbi stadium, duke bërë që loja të pezullohej për disa minuta.
Arteta aktivizoi një formacion me shumë ndryshime në prag të ndeshjes së Arsenalit kundër Liverpoolit në Premierligë të dielën, megjithëse në formacionin titullar ishin Gyokeres, Havertz, Martin Zubimendi, Jurrien Timber dhe Piero Hincapie.
Fleetwood nuk kishte arritur kurrë më parë në raundin e katërt të Kupës së Ligës. Para ndeshjes së të martës, skuadra gjithashtu nuk kishte fituar në pesë përballje me kundërshtarë të kategorisë më të lartë.
Eliminimi i Arsenalit rikujtoi humbjen e tij në Kupën e Ligës ndaj Bradford Cityt të kategorisë së katërt në vitin 2012, kur edhe atëherë klubi londinez u eliminua pas penalltive, pas një barazimi 1-1.