Hasan Esen
25 Janar 2018•Përditësim: 25 Janar 2018
MADRID (AA) – Qeveria e Spanjës ka vendosur të dërgojë në gjyqësor vendimin për rikandidim e Carles Puigdemont si president rajonal të Katalonjës, i cili u shkarkua nga detyra për shkak të iniciativës për shpalljen e njëanshme të pavarësisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Zv/kryeministrja e Spanjës Soraya Saenz de Santamaria në një konferencë për media duke rikujtuar urdhër-arrestin ndaj tij, tha se Puigdemont nuk mund të jetë përsëri president.
Santamaria thotë se për këtë çështje është pyetur Këshilli Shtetëror dhe se në qoftë se qeveria qendrore ka të drejtë atëherë do të kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese që të ndalojë menjëherë votimin për presidencën e Puigdemont-it.
Kryetari i Parlamentit të Katalonjës Roger Torrent ka prezantuar Puigdemont-in si kandidat për detyrën e presidentit të administratës autonome.
Puigdemont, i cili u shkarkua nga posti i presidentit për shkak të tentimit që të shkëputet nga Spanja, nëse kthehet në Spanjë do të arrestohet.
Puigdemont pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Katalonjës më 27 tetor, akuzohet për "rebelim kundër shtetit, kryengritjes dhe keqpërdorim të pronës publike". Ai së bashku me 4 ish-ministra kishte ikur në Belgjikë.
Në zgjedhjet e mbajtura më 21 dhjetor, në kuadër të vendimit të qeverisë qendrore, me një dallim shumë të vogël partitë separatiste kishin arritur shumicën për formimin e qeverisë.