Beyza Binnur Dönmez
30 Nëntor 2022•Përditësim: 01 Dhjetor 2022
Ilaçi eksperimental lecanemab ka "potencialin" për të shërbyer si trajtim në fazat e hershme të sëmundjes Alzheimer, tregojnë rezultatet e reja të testimit, transmeton Anadolu Agency (AA)
Zhvilluesit e ilaçit, Biogen nga SHBA-ja dhe Eisai nga Japonia, publikuan rezultatet e studimit të martën duke treguar ilaçin si një nga ilaçet e para eksperimentale që ngadalëson përparimin e rënies kognitive.
Në testet e fazës së dytë, lecanemab u zbulua se ngadalësonte përparimin e sëmundjes me 27 për qind në harkun kohor prej 18 muajsh, gjashtë muaj më shumë se periudha e sugjeruar.
Testi u krye në 235 vende në Amerikën e Veriut, Evropë dhe Azi dhe përfshiu 1.795 të rritur me dëmtim të butë kognitiv për shkak të sëmundjes së hershme të Alzheimerit ose demencës së lehtë të lidhur me sëmundjen e Alzheimerit.
Gjysma e pjesëmarrësve morën ilaçin ndërsa gjysma tjetër morën trajtimin placebo.
"Rezultatet e rishikuara që u publikuan tregojnë se lecanemab do t'u sigurojë pacientëve më shumë kohë për të marrë pjesë në jetën e përditshme dhe për të jetuar në mënyrë të pavarur. Kjo mund të nënkuptojë shumë më shumë muaj për të njohur bashkëshortin, fëmijët dhe nipërit e mbesat e tyre", thuhet në deklaratën e Shoqatës së Alzheimerit me qendër në SHBA.
"Trajtimet që sjellin përfitime të prekshme për ata që jetojnë me dëmtim të butë kognitiv (MCI) për shkak të Alzheimerit dhe demencës së hershme të Alzheimerit janë po aq të vlefshme sa trajtimet që zgjasin jetën e atyre me sëmundje të tjera terminale", shtoi grupi.
Aktualisht, më shumë se 55 milionë njerëz jetojnë me demencë në mbarë botën. Ky numër vlerësohet të arrijë në 78 milionë deri në vitin 2030 dhe 139 milionë deri në vitin 2050, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.