Ömer Erdem
05 Maj 2020•Përditësim: 06 Maj 2020
Sudani pas afro 25 vitesh emëroi ambasador në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), transmeton Anadolu Agency (AA).
Në njoftimin nga Ministria e Jashtme e Sudanit thuhet se administrata amerikane ka aprovuar emërimin e Nour Eddin Satti si ambasador i Sudanit në Washington.
Më tej bëhet e ditur se emërimi ka ardhur pasi SHBA ka vendosur normalizimin e marrëdhënieve me Sudanin dhe ngritjen e marrëdhënieve diplomatike nga i ngarkuari me punë në ambasador.
Satti u bë ambasadori i parë i Sudanit i emëruar në SHBA që nga viti 1996. Para tij, në këtë detyrë ishte Mehdi Ibrahim Muhammed.
Për shkak se Sudani ishte nikoqir i liderit të Al-Kaedës, Osama bin Laden, SHBA në vitin 1993 këtë vend e kishte përfshirë "Në kategorinë e vendeve që mbështesin terrorizmin. Ndërsa në vitin 1997 me udhëzim të presidentit të atëhershëm amerikan Bill Clinton janë zbatuar sanksione ndërsa marrëdhëniet diplomatike ishin ulur në nivel të të ngarkuarit me punë.