Ikrame Imane Kouachi
25 nëntor 2026•Përditësim: 25 nëntor 2026
Qeveria e Sudanit refuzoi sot ofertën e Etiopisë për të pritur dhe lehtësuar një dialog gjithëpërfshirës mes palëve sudaneze, duke vënë në pikëpyetje neutralitetin e Adis Ababës, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të publikuar nga agjencia zyrtare sudaneze e lajmeve SUNA, qeveria bëri të ditur se kryeministri etiopian Abiy Ahmed të martën kishte ftuar palët sudaneze të merrnin pjesë në një dialog të hapur dhe gjithëpërfshirës, që do të organizohej dhe lehtësohej nga Etiopia.
Ajo theksoi se “neutraliteti i vendit pritës dhe respektimi i sovranitetit të Sudanit janë kushte thelbësore për pranimin e çdo roli në këtë proces”. Qeveria përsëriti akuzat se "Etiopia mbështet Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), një grup paramilitar rebel", si dhe se “dronët janë lëshuar nga territori etiopian për të sulmuar Sudanin”.
Duke iu referuar këtyre pretendimeve, ajo tha se "qeveria etiopiane nuk e përmbush kushtin e neutralitetit për të pritur apo lehtësuar dialogun". Khartumi bëri thirrje për “hetim të pavarur për të vërtetuar faktet dhe për të përcaktuar përgjegjësinë”. Ai tha se rezervon të drejtën për të ndërmarrë masat e nevojshme diplomatike dhe ligjore për të mbrojtur sovranitetin e Sudanit.
Gjithashtu, qeveria sudaneze u bëri thirrje Unionit Afrikan dhe aktorëve përkatës rajonalë e ndërkombëtarë që të respektojnë qëndrimin e saj dhe ta përjashtojnë Etiopinë nga çdo marrëveshje për organizimin apo lehtësimin e dialogut.
Të martën, Abiy tha se Etiopia ishte e gatshme të priste dhe sponsorizonte një dialog kombëtar gjithëpërfshirës sudanez, ku do të përfshiheshin grupet ushtarake, politike dhe civile. Ai tha se synimi ishte përfundimi i luftës dhe hapja e rrugës për formimin e një qeverie të unitetit kombëtar me mbështetje të gjerë.
Luftimet mes ushtrisë sudaneze dhe RSF-së shpërthyen në prill të vitit 2023 për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me integrimin e forcës paramilitare në ushtrinë e rregullt. Lufta ka shkaktuar vdekjen e dhjetëra mijëra njerëzve, ka zhvendosur miliona të tjerë dhe ka shkaktuar shkatërrime të mëdha të infrastrukturës civile, përfshirë spitalet dhe objektet e tjera shëndetësore.