Hussein Mahmoud Ragab Elkabany,Safiye Karabacak
29 Dhjetor 2017•Përditësim: 30 Dhjetor 2017
KAJRO (AA) - Të paktën 10 persona kanë humbur jetën dhe 5 të tjerë janë plagosur në sulmin e armatosur në një kishë në qytetin Hilvan në jug të kryeqytetit egjiptian, Kajro, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë theksohet se "Në sulmin terrorist të armatosur në kishën Mar Mina në Hilvan krahas agresorit kanë humbur jetën 9 persona nga të cilët 7 prej tyre koptë, si dhe janë plagosur 5 persona të tjerë".
Në lajmin e agjencisë zyrtare egjiptiane të lajmeve MENA, të bazuar në një zyrtar të lartë në Ministrinë e Brendshme, theksohet se njësitë e sigurisë që ruanin kishën u janë kundërpërgjigjur sulmuesve që kanë hapur zjarr duke vrarë një prej agresorëve, si dhe vazhdojnë punimet në rajon për kapjen e agresorit tjetër i cili është larguar.
Ndërsa në anën tjetër në një deklaratë me shkrim nga kisha ortodokse e Egjiptit thuhet se "ka të vrarë dhe të plagosur si pasojë e sulmit të armatosur të ndërmarrë ndaj kishës ortodokse koptike Mar Mina që ndodhet në Hilvan".
Gjithashtu në deklaratë bëhet e ditur se edhe në rajonin El-Meshru në Hilvan është kryer një sulm i armatosur ndaj një biznesi që i përkiste një kopti, ku si pasojë kanë humbur jetën 2 persona.