Lina Altawell
21 shtator 2026•Përditësim: 21 shtator 2026
Ushtria izraelite kreu të hënën sulme ajrore dhe bombardime me artileri në disa zona të jugut të Libanit, krahas lëvizjeve të automjeteve ushtarake, hedhjes së flakadanëve ndriçues dhe zjarrit të rëndë me mitralozë, transmeton Anadolu.
Avionët luftarakë izraelitë kryen sulme gjatë natës dhe deri të hënën në mëngjes në periferi të Kfar Tebnit dhe në pyllin Ali al-Taher, në periferi të Nabatieh al-Fawqa, në distriktin Nabatieh, raportoi Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit (NNA).
Artileria izraelite bombardoi gjithashtu me ndërprerje gjatë natës Nabatieh al-Fawqa, Zawtar al-Sharqiyeh dhe Khallet Mayfadoun, të vendosura mes Zawtar al-Sharqiyeh dhe Mayfadoun, tha agjencia.
Bombardimet goditën gjithashtu vendbanimet Beit Lif dhe Hadatha, si dhe periferinë e Baraashit në distriktin Bint Jbeil.
Në distriktin Marjayoun, artileria izraelite goditi Wadi al-Salouqi dhe periferinë e Touline, ndërsa forcat izraelite hodhën flakadanë ndriçues mbi Zawtar al-Sharqiyeh, Markaba, Houla dhe Hadatha.
Forcat izraelite hapën zjarr të rëndë me mitralozë drejt Sarbinit, Hadathas, periferisë së Mays al-Jabal, Wadi al-Salouqi dhe Wadi Zibqin, raportoi NNA.
Ndërkohë, u raportua se automjete ushtarake izraelite po lëviznin në Hadatha, Beit Yahoun, Rachaf dhe Mays al-Jabal.
Në mëngjes, avionët luftarakë izraelitë goditën luginën e Zibqinit, ndërsa bombardimet e rënda me artileri shënjestruan vendbanimet Mansouri dhe Majdal Zoun dhe luginat përreth në jug të Libanit, sipas agjencisë.
Para agimit, forcat izraelite hodhën gjithashtu flakadanë ndriçues mbi disa fshatra në sektorët perëndimorë dhe qendrorë dhe hodhën në erë shtëpi në Mansouri.
Që nga 2 marsi, sulmet izraelite në Liban kanë vrarë të paktën 4.386 persona, kanë plagosur 12.407 të tjerë dhe kanë zhvendosur më shumë se 1 milion persona, sipas autoriteteve libaneze.
Sulmet kanë vazhduar pavarësisht marrëveshjes për “formulën e kornizës”, të ndërmjetësuar nga SHBA-ja dhe të nënshkruar nga Libani dhe Izraeli më 26 qershor, e cila parashikon tërheqjen graduale të Izraelit nga territori libanez i pushtuar në këmbim të vendosjes së ushtrisë libaneze dhe çarmatimit të Hezbollahut.
Izraeli vazhdon të pushtojë zona në jug të Libanit, disa prej tyre prej dekadash dhe të tjera që nga lufta e viteve 2023-2024, ndërsa forcat e tij kanë avancuar më shumë se 10 kilometra brenda territorit libanez gjatë ofensivës aktuale.