Tuğrul Çam
24 Gusht 2016•Përditësim: 24 Gusht 2016
WASHINGTON (AA) - Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Mark Toner, në lidhje me ofensivën me artileri ndaj objektivave të YPG-së dhe DAESH-it në veri të Sirisë nga ushtria turke, tha se “Po përpiqemi që tensionet të mos rriten. Po mundohemi t’u rikujtojmë të dy palëve se armiku i vërtetë këtu është DAESH-i”, raporton Anadolu Agency (AA).
Në konferencën ditore për media, duke rikujtuar se Turqia ka goditur me artileri objektivat e organizatave terroriste YPG dhe DAESH, Toner tha se janë në kontakte me autoritetet turke dhe përfaqësuesit e Forcave Demokratike të Sirisë në lidhje me çështjen.
Ai theksoi se janë në përpjekje që të mos rriten tensionet. “Po mundohemi t’u rikujtojmë të dy palëve se armiku i vërtetë këtu është DAESH-i”, u shpreh Toner.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve mes Turqisë dhe Rusisë dhe përdorimin e Bazës së Incirlikut, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit vuri në pah se çështjen në fjalë janë duke e diskutuar në bisedimet e veçanta diplomatike.
Ai u shpreh se janë falënderues ndaj Turqisë që u ka lejuar shfrytëzimin e Bazës së Incirlikut.
Toner përsëriti se janë duke vazhduar bisedimet mes Washingtonit dhe Moskës për gjetjen e zgjidhjes për krizën e Sirisë, duke theksuar më tej se Turqia dhe Rusia marrin pjesë së bashku me SHBA-të në Grupin Ndërkombëtar për Mbështetje ndaj Sirisë dhe se edhe ato kanë të drejtë fjale në çështjen e Sirisë.
“Sa më të mira dhe konstruktive të jenë marrëdhëniet tona me Rusinë në lidhje me Sirinë, të njëjtën e dëshirojmë edhe mes Turqisë dhe Rusisë, megjithatë, sipas mendimit tonë, ende nuk kemi arritur në atë pikë”, tha Toner, për të vazhduar se i vlerësojnë kontributet e Turqisë në gjetjen e një zgjidhjeje paqësore për Sirinë.
Ai shtoi se kanë shënuar progres në bisedimet që po vazhdojnë me Rusinë porse ende nuk kanë arritur në pikën e gjetjes së zgjidhjes së problemit.