Fatjon Cuka
07 Prill 2016•Përditësim: 07 Prill 2016
TIRANË (AA) - Avokati i Popullit të Shqipërisë, Igli Totozani, i ka dërguar kryeministrit të vendit, Edi Rama një rekomandim për trajtimin e krizës së refugjatëve. Përmes këtij rekomandimi, që konfirmohet nga institucioni i Avokatit të Popullit, kërkohet marrja e masave të menjëhershme dhe të nevojshme për trajtimin në përputhje me instrumentet kombëtare e ndërkombëtare të flukseve ekzistuese dhe atyre të pritshme të migrantëve dhe refugjatëve në Shqipëri, raporton Anadolu Agemcy (AA).
Në këtë rekomandim Totozani thekson se Shqipëria duhet të mirëpresë me solidaritet dhe humanizëm, çdo qytetar të huaj, që ka nevojë për ndihmë ndërkombëtare, në rast të një fluksi të mundshëm të refugjatëve.
Ai thekson se Qeveria e Shqipërisë të vazhdojë të nxisë nismat rajonale e më gjerë për të mundësuar bashkërendimin e trajtimit dhe të ofrimit të ndihmës në Ballkanin Perëndimor.
“Kriza migratore me të cilën po përballen vendet e rajonit ka rrënjë të thella dhe nevojë për vendimmarrje politike, por edhe për një qasje thellësisht humane nga të gjithë vendimmarrësit e zbatuesit, të bazuar në respektimin e të drejtave të njeriut. Bashkëpunimi rajonal mes vendeve të ndryshme duhet të nxitet duke parë me interes jo vetëm kuota për çdo vend, por respektimin e statusit të refugjatit, si dhe bashkërendimin në regjistrimin, trajtimin dhe ofrimin e zgjidhjeve afatgjata për refugjatët. Zgjidhja më e mirë e krizës është vetëm zgjidhja e çështjeve në burimin e tyre ndaj edhe qeveria shqiptare duhet ta shohë këtë zgjidhje me përparësi e t’i përkushtojnë asaj të gjitha mjetet e duhura. Çdo politikë sigurie e ndërmarrë në këtë situatë, nuk duhet të shkelë të drejtat e njeriut”- thuhet në rekomandimin e Avokatit të Popullit të Shqipërisë.
.Gjithashtu theksohet se refugjatëve dhe emigrantëve duhet t’u garantohet individualisht aksesi efektiv në procedurat e azilit, pa diskriminim. Më tej rekomandohet që të sigurohet një ndërveprim shumëplanësh për të kundërvepruar ndaj gjuhës së urrejtjes, racizmit dhe ksenofobisë.
Avokati i Popullit vlerëson se në lidhje me flukset ekzistuese dhe ato të pritshme të migrantëve dhe refugjatëve, Shqipëria mbetet në një gjendje ende të papërgatitur në mënyrën e duhur.
"Është e nevojshme që, Republika e Shqipërisë të marrë masat e nevojshme për pritjen dhe trajtimin e personave në nevojë për mbrojtje ndërkombëtare, që paraqiten në kufij, apo kapen brenda territorit të saj. Trajtimi humanitar i refugjatëve dhe migrantëve është detyrim për çdo vend, po aq sa ç’është edhe njohja e të drejtave që u takojnë atyre"- thekson Totozani.