Michael Gabriel Hernandez
11 Qershor 2020•Përditësim: 11 Qershor 2020
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi zhvilluan bisedë telefonike të mërkurën për situatën në Libi njoftoi Shtëpia e Bardhë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Gjatë bisedës së tyre telefonike, "Presidenti Trump vlerësoi përpjekjet e presidentit al-Sisi fundjavën e kaluar për të nxitur pajtimin politik dhe de-përshkallëzimin e konfliktit libian”, thuhet në deklaratë.
Të dy udhëheqësit diskutuan gjithashtu mbi përpjekjet e udhëhequra nga OKB-ja për rifillimin e bisedimeve të armëpushimit si dhe "largimin e të gjitha forcave të huaja nga Libia", thuhet më tej.
Ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu të mërkurën herët tha se thirrjet e fundit nga Egjipti për armëpushim në Libi ishin “të dështuara".
Duke folur për mediat lokale në Turqi, Çavuşoğlu dyshoi në "sinqeritetin" dhe "bindjen" e të ashtuquajturës Deklaratë të Kajros, duke përmendur agresionin e intensifikuar kohët e fundit kundër qeverisë së njohur nga OKB-ja në Libi të gjeneralit renegat, Khalifa Haftar, i cili mbështetet nga Egjipti.
“Thirrja për armëpushim për të shpëtuar Haftar-in nuk është e sinqertë ose bindëse për ne”, tha ai.
Pas rrëzimit të sundimtarit të ndjerë libian Muammar Gaddafi në vitin 2011, qeveria e re e vendit u formua në vitin 2015 nën një marrëveshje politike të udhëhequr nga OKB-ja.
Ushtria libiane ka arritur fitore të konsiderueshme ushtarake kundër milicive të gjeneralit renegat, Khalifa Haftar ditëve të fundit, duke kthyer nën kontroll të gjitha qytetet perëndimore të vendit në kufirin me Tunizinë.
Qeveria e njohur ndërkombëtarisht e Libisë është sulmuar nga forcat e Haftarit që nga prilli i vitit 2019, me më shumë se 1.000 të vrarë në dhunë.
Trump "përsëriti angazhimin e SHBA-së për lehtësimin e arritjes së një marrëveshjeje të drejtë dhe të ndershme midis Egjiptit, Etiopisë dhe Sudanit në Digën e Madhe të Rilindjes së Etiopisë (GERD)", tha Shtëpia e Bardhë.
Ai iu referua hidrocentraleve të diskutueshme prej 5 miliardë dollarësh që Etiopia po i ndërton përgjatë lumit Nil.
Egjipti pretedon se ka "të drejtë historike" ndaj ujërave të Nilit, një pretendim që Etiopia e hedh poshtë me forcë, duke thënë se një nocion i tillë do të legjitimonte hegjemoninë e burimeve të Egjiptit në shtratin që përfshin 10 vende.
Tensionet u përshkallëzuan pasi bisedimet e sponsorizuara nga SHBA-ja mbi projektin midis Etiopisë, Egjiptit dhe Sudanit u ndërprenë në shkurt. Etiopia akuzon SHBA-të se hapur ia mbanë anën Egjiptit.
Javën e kaluar, Egjipti tha se pranoi një propozim sudanez për rifillimin e bisedimeve trepalëshe pasi kryeministri i Sudanit, Abdalla Hamdok kishte biseduar përmes telefonit me kryeministrin e Etiopisë, Abiy Ahmed.
Etiopia tha se do të fillojë mbushjen e digës në fazën e parë në korrik.