Hakan Çopur
12 Maj 2017•Përditësim: 12 Maj 2017
WASHINGTON (AA) - Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) Donald Trump ka thënë se shkarkimi ditë më parë i drejtorit të Byrosë Federale të Hetimit (FBI) ka qenë i planifikuar që para rekomandimit zyrtar të Departamentit të Drejtësisë dhe se kishte marrë vendim për këtë hap edhe po të mos ishte rekomandimi në fjalë, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Do ta shkarkoja Comeyn edhe po të mos ishte rekomandimi i Departamentit të Drejtësisë", ka thënë Trump në një intervistë për kanalin amerikan NBC lidhur me shkarkimin e shefit të FBI-së, Comey, duke e akuzuar Comeyn se nuk po kryente detyrën mirë dhe se shkarkimin e tij e kishte menduar që më parë.
Megjithatë, kjo deklaratë e Trump është llogaritur si kontradiktore me deklaratën e mëparshme të Shtëpisë së Bardhë, nga e cila deklaruan se Trump e ka shkarkuar Comeyn duke respektuar rekomandimin zyrtar të Prokurorit të Përgjithshëm (Sekretar i Drejtësisë) Jeff Sessions dhe ndihmësit të tij Rod Rosenstein.
Trump po ashtu ka theksuar se besimi ndaj Comeyt ishte zvogëluar dhe se gjatë kësaj periudhe në FBI kanë ndodhur probleme të mëdha. Trump edhe njëherë theksoi se vendimi për largimin e shefit të FBI-së ka qenë vendim i duhur.
Ndërkaq, lidhur me hetimin mbi pretendimet se Rusia ka intervenuar në zgjedhjet presidenciale në SHBA, Trump ka thënë se nga Comey gjithnjë kishte kërkuar që hetimi në fjalë të vazhdonte në mënyrë të njëjtë dhe të shpalosen rezultatet, duke shtuar se asnjëherë nuk ka bërë kërkesë që hetimi të ndalej. "Nëse Rusia ka bërë ndonjë gjë, unë dua ta di atë", ka shtuar Trump.
Shefi i përkohshëm i FBI-së mbështet Comeyn
Nga ana tjetër, Andrew McCabe, i emëruar përkohësisht si drejtor i FBI-së, duke iu përgjigjur pyetjeve të senatorëve në Komitetin e Inteligjencës të Senatit në lidhje me hetimin mbi Rusinë dhe shkarkimin e Comeyt, është përgjigjur në mënyrë kontradiktore me deklaratën e Trumpit dhe Shtëpisë së Bardhë, të cilët kishin deklaruar se kishte humbur besimi ndaj Comeyt.
McCabe ka thënë se FBI nuk kishte humbur besimin ndaj Comeyt dhe se pjesa më e madhe e punonjësve të FBI-së ishin të lidhur thellësisht dhe pozitivisht me drejtorin Comey. "Kam respekt të madh për të", ka theksuar McCabe.
Duke potencuar se hetimi lidhur me Rusinë ka rëndësi tejet të madhe për ta, McCabe ka deklaruar: "FBI ka burime të mjaftueshme për hetimin lidhur me Rusinë. Me siguri, ne do të vazhdojmë të punojmë lidhur me këtë çështje".
Ndryshe, në deklaratën e tij të parë për media pas shkarkimit të shefit të FBI-së të martën, presidenti amerikan Trump deklaroi për Comeyn se "ai nuk po bëntë punën mirë".
Ndërkaq, në një postim në llogarinë e tij në Twitter, Trump ka thënë: "Comey humbi besimin e secilit në Uashington, qoftë republikan apo demokrat. Kur punët t'i kthehen normales, çdokush do të më falënderojë (për këtë vendim)".
Edhe zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence ka mbështetur këtë vendim të Donald Trumpit, duke mohuar që ky hap të ketë lidhje me hetimin në lidhje me Rusinë.
Po ashtu, duke folur në konferencën ditore për media ditën e djeshme, ndihmës zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders deklaroi se "Trump muajt e fundit ka humbur besimin që kishte ndaj Comeyt. Të themi sinqerisht, ai që nga dita kur është zgjedhur ka menduar për shkarkimin e drejtorit Comey".
Ndryshe, FBI po zhvillonte hetim lidhur me pretendimet që Rusia të ketë intervenuar në zgjedhjet presidenciale në SHBA, teksa Comey javën e kaluar u ishte përgjigjur pyetjeve të senatorëve në Senat lidhur me këtë hetim.
James Comey, 56 vjeçar, ishte emëruar si drejtor i FBI-së në shtator të vitit 2013 nga ish-presidenti Barack Obama.