Betül Yürük
10 Nëntor 2019•Përditësim: 11 Nëntor 2019
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump të martën do të publikojë transkriptin e bisedës së dytë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky e cila ka shkaktuar nisjen e një hetimi për shkarkimin e tij, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë për gazetarët në bazën ajrore "Joint Base Andrews" para nisjes për në Alabama, Trump tha se "Kërkojnë edhe transkriptin e bisedës tjetër, të bisedës së dytë. Jam i gatshëm ta siguroj edhe atë. Me shumë mundësi transkriptin do ta ofrojmë të martën për shkak se e hëna është pushim".
"Me Zelenskyn kam zhvilluar dy biseda telefonike, një në prill dhe një tjetër në korrik", tha Trump duke shtur: "Lexoni edhe transkriptin e dytë dhe më thoni ju nëse kam apo jo ndonjë gjë të gabuar".
- Transkripti i përket bisedës telefonike të zhvilluar në prill
Shtëpia e Bardhë e ka publikuar transkriptin e bisedës telefonike të zhvilluar në korrik ndërsa transkripti që pritet të publikohet të martën i përket bisedës telefonike të zhvilluar në prill.
Senaca e parë dëgjimore publike në hetimin për shkarkimin e Trumpit do të fillojë të mërkurën, javën e ardhshme.
Në anën tjetër republikanët kërkojnë që të dëgjohen si dëshmitarë edhe informatori i paidentifikuar që është ankuar për bisedën me Ukrainën si dhe Hunter Biden, djali i ish zv.presidentit Joe Biden, një nga kandidatët demokratë për zgjedhjet presidenciale 2020.
- Hetimi për shkarkimin e Trumpit
Gjatë një bisede telefonike në korrik ishte pretenduar se Trump i ka vendosur liderit ukrainas Volodymyr Zelensky, si kusht hetimin e Bidenit dhe familjes së tij në mënyrë që SHBA të ndihmojë Ukrainën.
Pas zbulimit të këtij pretendimi demokratët reaguan duke nisur hetimin për shkarkimin e Trumpit.
Ndërsa Trump ka mbrojtur idenë e tij se biseda me Zelenskyn ka qenë në përputhje me procedurat, ndërkohë që para bisedës telefonike ai ka bërë të ditur pezullimin e ndihmave financiare dhe ushtarake prej 400 milionë dollarë për Ukrainën.