Servet Günerigök
08 Tetor 2020•Përditësim: 08 Tetor 2020
Sipas presidenti amerikan, Donald Trump, SHBA duhet të kthejë trupat e saj nga Afganistani para përfundimit të vitit 2020, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Ne duhet të kemi numrin e vogël të mbetur të burrave dhe grave tona guximtarë që shërbejnë në Afganistan në shtëpi deri në Krishtlindje", shkroi Trump në twitter.
Reagimi i tij erdhi disa orë pasi këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Robert O'Brien, tha se Washingtoni do të zvogëlojë forcat e saj në Afganistan në 2.500 në fillim të vitit 2021.
"Kur presidenti Trump mori detyrën, kanë qenë mbi 10 mijë trupa amerikane në Afganistan. Deri më sot, ka nën 5 mijë dhe kjo do të shkojë në 2.500 deri në fillim të vitit të ardhshëm", tha O'Brien gjatë komenteve publike në Universitetin e Nevadas, Las Vegas.
Trump vazhdimisht ka thënë se ai dëshiron të nxjerrë ushtrinë amerikane nga vendi i shkatërruar nga lufta.
Bisedimet historike midis udhëheqësve afganë dhe talebanëve filluan në kryeqytetin Doha të Katarit në shtator, pas një marrëveshjeje mes SHBA-ve dhe talebanëve të arritur në shkurt për të ndaluar sulmet ofensive kundër forcave të njëri-tjetrit, në mënyrë që të lejohet hapësira për negociata. Bisedimet synojnë të sigurojnë tërheqjen e forcave amerikane nga vendi dhe t'i japin fund konfliktit.
David Helvey, zv/ndihmësi i sekretarit të Pentagonit për Çështjet e Sigurisë Indo-Paqësore, më 22 shtator u tha ligjvënësve se SHBA ka reduktuar nivelet e forcave të tyre në Afganistan në 8.600 trupa.
Helvey shtoi se SHBA përgatitet të tërheqë të gjitha forcat e saj deri në maj të vitit 2021 "nëse kushtet kërkojnë".