WASHINGTON (AA) - Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, ka vendosur t'i japë fund programit të paraardhësit të tij që synon të mbrojë nga deportimi fëmijët e sjellur në këtë vend në mënyrë ilegale (DACA), njoftoi të martën Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sessions mbrojti vendimin duke pohuar se masa është në përputhje me ndarjen e kompetencave të Kushtetutës midis degës ekzekutive të qeverisë dhe Kongresit. Ai tha se administrata do të "fillojë një përfundim të rregullt dhe të ligjshëm" të programit të Aksionit të Shtyrë për Fëmijët e Ardhur (DACA).
"Ekzekutivi, përmes DACA-s, qëllimisht kërkoi të arrinte atë që dega legjislative në mënyrë specifike nuk pranoi të autorizonte në shumë raste," tha ai në Departamentin e Drejtësisë. "Një shmangie e tillë e hapur e ligjeve të emigrimit ishte një ushtrim antikushtetues i autoritetit nga dega ekzekutive".
Trump të martën i bëri thirrje Kongresit që "të përgatitet për të bërë punën" në një tweet referuar DACA-s. "Nuk mund të ketë rrugë drejt reformës parimore të emigrimit nëse ekzekutivi është në gjendje të rishkruajë ose të anulojë ligjet federale sipas dëshirës. Ne do të zgjidhim çështjen e DACA-s me zemër dhe dhembshuri, përmes procesit të ligjshëm demokratik, ndërsa në të njëjtën kohë do të sigurojmë që çdo reformë rreth emigrimit që ne e miratojmë të ofrojë përfitime të qëndrueshme për qytetarët amerikanë, të cilëve ne u zgjodhën për t'u shërbyer", tha Trump.
Ish-presidenti Barak Obama e dënoi fuqishëm vendimin e Trump, duke e quajtur atë një lëvizje "mizore" të bazuar në politikë, jo në respektin për sundimin e ligjit. "Në fund të fundit, kjo ka të bëjë me mirënjohjen themelore. Kjo ka të bëjë me atë nëse ne jemi një popull që dëbon të rinjtë shpresues nga Amerika, ose i trajtojmë ata ashtu si duam fëmijët tanë të trajtohen. Ka të bëjë me atë se kush jemi ne si popull, dhe cilët duam të jemi", tha ai në një deklaratë.
Siç parashihet, do të pasojë një periudhë gjashtëmujore në të cilën Kongresi mund të miratojë një zëvendësim të DACA-s, para se administrata të ndalojë lëshimin e lejeve të reja.
Programi i përkohëshëm i vitit 2012 i lejonte ata që kishin ardhur në SHBA ilegalisht nën moshën 16 vjeç të fitojnë status ligjor për një periudhë dyvjeçare të ripërtëritshme. Ish-presidenti Barak Obama e zbatoi këtë politikë pasi Kongresi dështoi të miratojë reformën e emigrimit.
Rreth 800.000 persona përfitojnë nga programi dhe lejohen të punojnë ligjërisht në SHBA.
Disa zyrtarë shtetërorë republikanë paralajmëruan se do ta dërgojnë programin DACA-s në gjykatë nëse administrata Trump nuk e anulon atë deri të martën.
Por disa ligjvënës gjithashtu e kundërshtuan anulimin e programit. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Paul Ryan, tha të premten se Trump duhet të përmbahet nga shfuqizimi i programit, duke thënë se Kongresi duhet të punojë për të "rregulluar" programin, e jo ta zëvendësojë atë.
Republikanët shpesh kanë hasur në mospajtime lidhur me zgjidhjen e mangësive në sistemin e emigrimit të SHBA-ve.
Megjithatë, senatori Lindsey Graham tha se është mbështetës i vendimit të Trump, duke shtuar se ligjvënësit "do të punojnë për të gjetur një zgjidhje legjislative" për problemet me të cilat ballafaqohen përfituesit e DACA-s, shpesh të njohur si "Ëndërrues".
Vetëm rreth 30 përqind e hispanikëve kanë votuar për kandidatët republikanë në tre zgjedhjet e fundit presidenciale, ndërsa ish-kreu i Partisë Republikane, Reince Priebus, vazhdimisht i ka kërkuar partisë së tij që të angazhojë popullatën latine.
Por kur Partia Republikane nominoi Donald Trumpin, i cili i quajti imigrantët meksikanë "përdhunues" dhe "kriminelë" vitin e kaluar, këto përpjekje morën goditje të madhe.
Pas njoftimit për anulimin e programit, jashtë Shtëpisë së Bardhë qindra njerëz u mblodhën në kundërshtim të këtij akti të Trumpit, duke e quajtur atë një lëvizje që rrit më tej ndarjet në vend.
"Kjo nuk është ajo për të cilën thërret vendi ynë," tha Vickie Sealey nga Alexandria në Virginia. "Gjatë gjithë historisë së tij, ne kemi gjetur gjithmonë një mënyrë për t'i lejuar njerëzit të lulëzojnë dhe të bëhen amerikanë. Kjo është në kundërshtim me çdo gjë që unë jam mësuar për ta besuar", shtoi ajo.
Për Sharice Davids, amerikane vendase nga Wisconsin, veprimin e Trumpit e quajti angazhim të mëtejshëm për të ndarë kombin. "Si një person indigjen nga kjo tokë, më bën të trishtohem fakti që vendi ynë ka shkuar aty ku është tani, kur dukej se po fillonim të shkonim drejt një vendi më të unifikuar", tha ajo.
Po ashtu, qindra persona në New York marshuan në drejt Trump Tower për të protestuar. Protestuesit u përballën me prani të policisë. Rreth 20 protestues të cilët u ulën në rrugë u arrestuan një nga një nga oficerët, teksa një pjesë e madhe dhe anëtarët e mediave u detyruan të tërhiqen në trotuar.
Jonathan Escalona, 22 vjeç, ka qenë në SHBA për një dekadë pas mbërritjes nga Meksika dhe punon kamerier. Ai kishte arritur të regjistrohej në DACA vetëm katër muaj më parë pas një përpjekjeje prej një viti e gjysmë.
"Unë sapo e fitova atë, ndërsa tani ata po përpiqen të ma marrin. Nuk mendoj se është e drejtë", tha Escalona për AA. "Unë nuk bëra asgjë, nuk kam dosje kriminele", shtoi ai.
Vëllai më i madh i Jonatanit, Fidel, 28 vjeç, tha se do t'i rezistojnë këtij akti të Shtëpisë së Bardhë. "Ishte një mundësi për të marrë një licencë, për të marrë një arsimim më të mirë. Ai na i hapi dyert e botës", tha ai.
"Dhe tani janë duke na dëbuar, duke na kthyer mbrapa, por ne do të luftojmë," u shpreh më tej Fidel.
Fidel shtoi se një nga miqtë e tyre, Alvaro Aguilar, u arrestua këtë mëngjes gjatë protestës. "Ai u arrestua duke luftuar për DACA-n. Kjo na të ndihemi shumë krenarë për të", theksoi ai.