Ahmet Gürhan Kartal
23 Prill 2019•Përditësim: 24 Prill 2019
Vizita e mëparshme e Trumpit shkaktoi kritika në Mbretërinë e Bashkuar LONDËR (AA) - Pallati Buckingham ka bërë të ditur se presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, do të zhvillojë një vizitë shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar në javën e parë të muajit qershor, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Presidenti i SHBA-ve, presidenti Donald J. Trump, i shoqëruar nga znj. Melania Trump, ka pranuar një ftesë nga Madhëria e Saj, Mbretëresha, për të zhvilluar një vizitë shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar”, tha familja mbretërore në rrjetin social Twitter.
Vizita u konfirmua më vonë nga qeveria britanike, e cila njoftoi se “Presidenti dhe Zonja e Parë do të zhvillojnë një vizitë shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar më 3-5 qershor, siç edhe u njoftua nga Pallati Buckingham këtë pasdite”, tha qeveria britanike.
Kryeministrja britanike Theresa May tha se Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-të kanë një partneritet të thellë dhe të qëndrueshëm që bazohet në histori dhe interesa të përbashkëta.
“Ne punojmë së bashku më shumë se çdo dy kombe në botë dhe ne jemi më të sigurt dhe më të begattë për shkak të bashkëpunimit tonë”, tha ajo.
“Vizita shtetërore është një mundësi për të forcuar marrëdhëniet tona tashmë të ngushta në fusha të tilla si tregtia, investimet, siguria dhe mbrojtja, si dhe për të diskutuar se si mund të ndërtojmë këto lidhje në vitet e ardhshme”, shtoi May.
Protesta e mëparshme
Ftesa për një vizitë shtetërore nga kryeministrja May u paraqit te presidenti Trump gjatë vizitës së saj në SHBA më 27 janar të vitit 2017, duke shkaktuar kritika në Mbretërinë e Bashkuar për shkak të ndalimit të diskutueshëm të udhëtimit të presidentit të ri në shtatë vende me shumicë muslimane.
Trump, i cili vizitoi Mbretërinë e Bashkuar në një vizitë pune në muajin korrik 2018, u protestua nga mijëra britanikë në Londër dhe në qytete tjera të mëdha, duke përfshirë qytetet Manchester, Birmingham, Glasgow dhe Belfast.
Një peticion që i bënte thirrje qeverisë britanike për të anuluar ftesën u nënshkrua nga mbi 1.85 milionë njerëz.
Peticioni tha se çdo vizitë zyrtare shtetërore duhet të mbyllet, “sepse do të shkaktonte siklet për Madhërinë e Saj, Mbretëreshën”.
Qeveria iu përgjigj peticionit parlamentar, duke theksuar se beson se udhëheqësi amerikan duhet të “zgjatet me mirësjelljen e plotë” të një pritjeje zyrtare.
Vizita e Trumpit në Mbretërinë e Bashkuar erdhi nën shqyrtim të mëtejshëm kur ai ri-postoi në Twitter video anti-muslimane fillimisht të postuar nga një grup i djathtë ekstrem “Britain First”, një veprim që kryeministrja May e etiketoi “të gabuar”. Kreu i Bashkisë së Londrës, Sadiq Khan, në atë kohë komentoi duke theksuar se Trump nuk është i mirëpritur të vizitojë Mbretërinë e Bashkuar.
“Presidenti Trump... përdori llogarinë e Twitter-it për të promovuar një grup të egër ekstremist që ekziston vetëm për të krijuar ndarje dhe urrejtje në vendin tonë”, tha Khan. Kreu i Parlamentit, John Bercow, në vitin 2017 në një seancë parlamentare tha se marrëdhëniet me SHBA-të janë të çmuara dhe se vendimi i një vizite shtetërore nga një president është përtej autoritetet të kryetarit të Parlamentit.
“Megjithatë, sa i përket këtij vendimi (të Dhomës së Përfaqësuesve), ndihem se kundërshtimi ynë ndaj racizmit dhe seksizmit, si dhe mbështetja jonë për barazi para ligjit dhe gjyqësorit të pavarur janë konsiderata të rëndësishme në Dhomën e Përfaqësuesve”, tha Bercow.