Servet Günerigök
08 Janar 2021•Përditësim: 08 Janar 2021
“Një administratë e re” do të marrë detyrën në fund të këtij muaji, tha të enjten presidenti i SHBA-ve Donald Trump, një ditë pasi mbështetësit e tij sulmuan ndërtesën e Capitol-it, e cila përfshin si Dhomën e Përfaqësuesve ashtu edhe Senatin, raporton Anadolu Agency (AA).
"Një administratë e re do të inaugurohet më 20 janar. Fokusi im tani kthehet në sigurimin e një tranzicioni të qetë, të rregullt“, tha Trump në një video në Twitter, pa përmendur emrin e presidentit të zgjedhur Joe Biden. "Ky moment kërkon shërim dhe pajtim", tha ai.
Ai tha se SHBA-të përjetuan zgjedhje të tensionuara dhe "emocionet janë të larta dhe tani temperamenti duhet të qetësohet dhe qetësia të rikthehet”.
Trump gjithashtu bëri thirrje për ligje zgjedhore për të "verifikuar identitetin dhe pranueshmërinë e të gjithë votuesve dhe për të siguruar besimin në të gjitha zgjedhjet e ardhshme".
Në deklaratën e tij, presidenti amerikan vuri në shënjestër protestuesit, duke thënë se është i zemëruar nga "sulmi i neveritshëm" mbi ndërtesën e Capitol-it dhe sipas tij sulmuesit "ndotën selinë e demokracisë amerikane".
"Për ata që u përfshinë në akte dhune dhe shkatërrimi, ju nuk përfaqësoni vendin tonë. Për ata që shkelën ligjin, ju do të paguani", shtoi ai.
Qindra protestues pro-Trump të mërkurën sulmuan ndërtesën e Capitol-it të SHBA-ve, ndërsa dhuna që pasoi rezultoi në vdekjen e katër personave.
Më shumë se 50 njerëz janë arrestuar dhe dhjetëra të lënduar janë raportuar.
Trump dhe aleatët e tij politikë me muaj të tërë kanë pretenduar se zgjedhjet kanë qenë të manipuluara dhe asgjë tjetër përveç një "mashtrim".