Michael Hernandez
12 Mars 2019•Përditësim: 12 Mars 2019
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka propozuar buxhetin më të lartë në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), me një kërkesë drejtuar Kongresit prej 4.7 trilionë dollarë, raporton Anadolu Agency (AA).
Buxheti i propozuar shkurton shpenzimet diskrecionale jo-mbrojtje me pesë për qind, ndërkohë që synon të balancojë brenda 15 viteve buxhetin federal.
Ndërsa kërkon të zvogëlojë buxhetet e tjera me pesë për qind, propozimi i Shtëpisë së Bardhë rrit buxhetin e Pentagonit në rreth 750 miliardë dollarë për vitin fiskal 2020, që është një rritje me 34 miliardë dollarë nga viti paraprak fiskal.
Deficiti amerikan pritet që gjatë vitit fiskal 2020 që fillon në tetor të jetë mbi 1.1 trilion dollarë, për çka Shtëpia e Bardhë përpiqet të theksojë se përfitimet e tij janë se do të krijojë një buxhet të balancuar deri në vitin 2034.
"Si vend, kemi shumë borxhe" u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë drejtori i Drejtorisë për Buxhet, Russell Vought, për të shtuar se 22 trilionë dollarët e borxhit publik të SHBA-ve, janë diçka e papranueshme për ata.
Buxheti i propozuar nga Trump është thjesht një kërkesë për Kongresin, i cili nga ana e tij gëzon autoritetin për të hartuar dhe miratuar buxhetet federale.
Propozimi i buxhetit me gjasë nuk do të miratohet nga legjislativi federal.
Një nga pikat të cilat sipas të gjitha gjasave do të pengohet në procesin e legjislativit, është kërkesa e Trumpit për rreth 8.6 miliardë dollarë, me të cilat do të ngrejë murin në kufirin SHBA-Meksikë.