Kasım İleri
09 Tetor 2017•Përditësim: 09 Tetor 2017
WASHINGTON (AA) – Ambasada e Republikës së Turqisë në Washington në të gjitha misionet diplomatike në SHBA ka pezulluar të gjitha procedurat lidhur me lëshimin e vizave për qytetarët e SHBA-ve, raporton Anadolu Agency (AA).
“Ngjarjet e fundit e detyruan Qeverinë e Turqisë që përsëri ta shqyrtojë angazhimin e qeverisë së SHBA-ve për sigurinë e objekteve dhe stafit të misioneve diplomatike turke. Gjatë procesit të vlerësimit, procedurat për lëshimin e vizave për qytetarët e SHBA-ve në të gjitha misionet tona në SHBA janë ndërprerë, me qëllim që të zvogëlohet numri i vizitorëve në ambasadën tonë dhe konsullatat e përgjithshme në SHBA”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Ambasada turke në Washington.
Në deklaratë theksohet se me këtë vendim mbulohen edhe lëshimi i vizave në vendkalimet kufitare dhe e-Vizat.
Më herët, Ambasada e SHBA-ve njoftoi se kishte pezulluar lëshimin e vizave jo emigruese në të gjitha misionet diplomatike të SHBA-ve në Turqi, me qëllim që të reduktohet numri i vizitorëve në misionet diplomatike.
Me hetimin e komplotit, që më 17-25 dhjetor në Turqi e kreu organizata e armatosur terroriste FETO, u zbulua se një zyrtar i Konsullatës së Përgjithshme të SHBA-ve në Stamboll, Metin Topuz, ishte në kontakt me të akuzuarit, ish shefat e policisë dhe një ish-prokuror, i cili ende është në arrati, Zekeriya Öz.
Me urdhër të Prokurorisë në Stamboll, Topuz u arrestua për përpjekje për të përmbysur rendin kushtetues, spiunazh dhe për përpjekje për të përmbysur Qeverinë e Republikës së Turqisë.
Pas arrestimit të Topuz-it, pasoi reagimi i SHBA-ve. Në përgjigje të këtij reagimi, Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë, njoftoi se më 25 shtator të vitit 2017, i privuari nga liria nuk është në listën zyrtare të stafit të konsullatës së SHBA-ve, si dhe se nuk ka asnjë imunitet diplomatik apo konsullor apo komoditet.