Seyit Şamil Kurt
01 Maj 2026•Përditësim: 01 Maj 2026
Turqia ka uruar kryeministrin e mandatuar të Irakut, Ali Al-Zaidi, i cili është ngarkuar me formimin e një qeverie të re, duke shprehur shpresën që procesi të përfundojë shpejt, transmeton Anadolu.
Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë tha se Zaidi u ngarkua me formimin e një qeverie të re si pjesë e procesit kushtetues të Irakut pas zgjedhjes së kryetarit të parlamentit dhe presidentit.
“Urojmë Ali Al-Zaidin, i cili është ngarkuar me formimin e qeverisë së re në Irak dhe shpresojmë që ky zhvillim të jetë i dobishëm për popullin irakian”, tha ministria turke.
Ajo shtoi se Ankaraja shpreson që procesi i formimit të qeverisë të finalizohet sa më parë.
Më tej, po ashtu u theksua synimi i Turqisë për ta çuar më tej bashkëpunimin e saj strategjik dhe institucional me Irakun, duke u mbështetur në “lidhjet e thella historike, njerëzore, kulturore dhe ekonomike”, si dhe për ta zgjeruar këtë bashkëpunim edhe në dimensione rajonale.
Presidenti irakian, Nizar Amedi, e ngarkoi Zaidin me formimin e qeverisë më 27 prill, pasi ai u nominua nga Korniza Koordinuese, blloku më i madh në parlament.
Disa parti politike shiite, sunite, kurde dhe turkmene në Irak gjithashtu e uruan Zaidin dhe shprehën mbështetje për zgjedhjen e tij.
Sipas Kushtetutës së Irakut, Zaidi duhet të formojë kabinetin e tij dhe të sigurojë votëbesimin në parlament brenda 30 ditëve nga marrja e mandatit.