Ömer Faruk Yıldız
21 Qershor 2021•Përditësim: 21 Qershor 2021
Udhëheqësi i administratës ushtarake të Mianmarit, gjenerali Min Aung Hlaing, i cili mori qeverinë e zgjedhur me një grusht shteti ushtarak zhvilloi një vizitë në Rusi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në lajmet në televizionin MRTV, një nga organet mediatike të ushtrisë së Mianmarit, thuhet se gjenerali Hlaing u largua nga kryeqyteti Nepido dje me aeroplan privat për të shkuar në Rusi.
Bëhet e ditur se Hlaing shkoi në Rusi "me ftesë të ministrit rus të Mbrojtjes Sergey Shoygu" dhe do të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Sigurisë që do të mbahet në kryeqytetin Moskë.
Vlen të përmendet se vizita e Hlaing në Rusi u realizua një ditë pas thirrjes së Kombeve të Bashkuara për një embargo armësh në Mianmar.
Në maj, zyrtarë të lartë nga ushtria e Mianmarit morën pjesë në panairin e helikopterëve në Moskë.
Grusht shteti ushtarak në Mianmar
Ushtria e Mianmarit më 1 shkurt mori pushtetin pas akuzave për mashtrim në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe ngritjes së tensionit politik në vend.
Ushtria kishte arrestuar shumë zyrtarë dhe udhëheqës të partive në pushtet veçanërisht udhëheqësin de facto të vendit dhe ministren e Jashtme, Aung San Suu Kyii dhe shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit.
Si rezultat i ndërhyrjes së armatosur të ushtrisë së Mianmarit kundër protestuesve anti-grusht shteti dhe grupeve rebele, deri më sot 872 njerëz kanë vdekur dhe mijëra demonstrues janë arrestuar.
Ndërsa demonstratat me pjesëmarrje të madhe vazhdojnë në vend, gjykimi i zyrtarëve të lartë qeveritarë në paraburgim vazhdon në gjykatat ushtarake.