Tufan Aktaş
17 Gusht 2021•Përditësim: 18 Gusht 2021
Uganda njoftoi se do të pranojë përkohësisht në vend mbi 2 mijë refugjatë afganë me kërkesë të SHBA-së, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmit të gazetës "The Daily Monitor", ministrja e shtetit përgjegjëse për Katastrofat dhe Refugjatët, Esther Anyakun, ka njoftuar se kanë marrë vendim që të presin në vendin e tyre përkohësisht mbi 2 mijë refugjatë afganë, pas kërkesës së qeverisë së SHBA-së ndaj presidentit Yoweri Museveni.
Personat që vijnë në vend më pas do të transferohen në një vend tjetër nga SHBA-ja ka bërë të ditur Anyakun, e cila ka theksuar se grupi i parë prej 500 personash ishte planifikuar që të mbërrinte në vend më 16 gusht, por që ende nuk kanë mbërritur.
Anyakun tha se gjatë kohës së qëndrimit të refugjatëve të gjitha shpenzimet do të përballohen nga qeveria e SHBA-së.
Uganda me këtë vendim bëhet vendi i parë i Afrikës që pranon në vendin e saj refugjatët afganë.
Procesi i dominimit të talebanëve ne vend
Në kuadër të marrëveshjes së paqes të arritur në shkurt 2020 mes SHBA-së dhe talebanëve, këtë vit filloi procesi i tërheqjes së forcave ndërkombëtare nga Afganistani.
Teksa marrëveshja parashikon që forcat e huaja të mos sulmohen, ajo nuk parashikon ndonjë dispozitë në lidhje me veprimet e talebanëve ndaj forcave afgane të sigurisë.
Talebanët të cilët vazhdojnë negociatat në Doha me qeverinë afgane, me sulme të ashpra të ndërmarra në mënyrë të njëkohshme që nga qershori dominuan me shpejtësi shumë rajone dhe qendra provinciale.
Duke rrethuar kryeqytetin Kabul, talebanët morën kontrollin e qytetit pa konflikt pasi presidenti Ashraf Ghani u largua nga vendi më 15 gusht.