Elena Teslova
30 Shtator 2022•Përditësim: 02 Tetor 2022
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy njoftoi aplikimin për anëtarësim në NATO me procedurë të përshpejtuar, menjëherë pas aneksimit nga Rusia të katër rajoneve ukrainase, raporton Anadolu Agency (AA).
Vetëm pak minuta pasi presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi dokumentet për krijimin e katër rajoneve të reja në Rusi, Zelenskyy tha se "Ukraina de facto bëri rrugën e saj" drejt aleancës.
"De fakto, ne kemi bërë tashmë rrugën tonë për në NATO. De fakto, ne kemi provuar tashmë përputhshmërinë tonë me standardet e Aleancës. Ato janë reale për Ukrainën, reale në fushën e betejës dhe në të gjitha aspektet e bashkëpunimit tonë", tha Zelenskyy.
"Ne i besojmë njëri-tjetrit, e ndihmojmë njëri-tjetrin dhe e mbrojmë njëri-tjetrin. Kjo është Aleanca", u shpreh udhëheqësi ukrainas në Telegram.
"De fakto. Sot, Ukraina po paraqet një kërkesë për ta bërë këtë de jure. Sipas një procedure që do t'i përshtatet qëllimit tonë për të mbrojtur të gjithë komunitetin tonë, në mënyrë të përshpejtuar. Ne po bëjmë hapin tonë vendimtar duke nënshkruar aplikacionin e Ukrainës për anëtarësim të përshpejtuar në NATO”, ka shkruar ai.
Zelenskyy shtoi se nuk do të ketë bisedime paqeje me Rusinë për sa kohë që Vladimir Putin shërben si president i saj.
"Donbasi është dhe do të jetë ukrainas. Kjo është toka jonë, populli ynë. Ne kurrë nuk do t'ia japim gjërat tonat pushtuesve", tha ai.
Rajonet separatiste të Ukrainës Donetsk dhe Luhansk, si dhe rajonet Zaporizhzhia dhe Kherson të kontrolluara nga Rusia, mbajtën referendume për bashkimin me Rusinë më 23-27 shtator.
Rreth 98 për qind e votuesve zgjodhën t'i bashkohen Rusisë, pretendoi Moska, por rezultatet u kundërshtuan shumë dhe u hodhën poshtë nga Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë.
Referendumet janë dënuar gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar, ndërsa vendet evropiane dhe SHBA i quajtën ato "të rreme" dhe thënë se janë një shkelje e ligjit ndërkombëtar.