Anëtarët e diasporës ukrainase dhe ata që u larguan nga vendi i tyre dhe u strehuan në Poloni, kërkojnë që NATO të mbyllë hapësirën ajrore mbi vendin e tyre për të parandaluar më shumë viktima.
Një grup protestuesish u mblodhën në sheshin qendror në qytetin Krakow me flamuj ukrainas për të theksuar kërkesat e tyre.
NATO duhet të veprojë
Adrian Harasym, përfaqësues i diasporës, thotë se mesazhi kryesor nga demonstrata e tyre është thirrja drejtuar NATO-s.
"Mesazhi kryesor është 'NATO mbylle qiellin' dhe ne e kemi përsëritur këtë mesazh sepse është shumë, shumë i rëndësishëm", tha Harasym për Anadolu Agency (AA).
"Ju e dini se ushtria ukrainase është shumë e guximshme. Ajo po lufton me shumë guxim. Është e fortë, apo jo; forcat tokësore janë të forta, por nëse ajri po dominohet nga armiku, është një disavantazh i rëndësishëm, sepse rusët mund të bombardojnë qytetet, mund të godasin disa objekte kyçe shumë larg në Ukrainën perëndimore", shtoi ai.
Harasym u shpreh se "ata mund të godasin shumë kilometra larg kufirit apo edhe nga hapësira ndërkombëtare si mbi Detin e Zi".
"Aeroplani rus mund të qëllojë dhe thjesht të ulet diku, por nëse hapësira ajrore mbi Ukrainë është e mbyllur, qytetet mund të mbrohen, refugjatët mund të mbrohen, ato jetimore që janë bombarduar, do të jenë të sigurta", shtoi ai.
Harasym gjithashtu bëri thirrje për "embargo ekonomike kundër naftës ruse" dhe zbatim të gjitha llojeve të sanksioneve, duke shtuar se çdo lloj ndihme gjë do ishte e mirëpritur.
Duke iu përgjigjur kërkesave të tilla, NATO ka thënë vazhdimisht se zbatimi i zonës së ndaluar të fluturimit mbi Ukrainë do të rezultonte në konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë.
Situata është e vështirë
Një demonstruese e re, Tania, e cila ka qenë në Poloni edhe para luftës, thotë se ndjen dhimbjen e popullit ukrainas:
"Babai im është në ushtri tani. Ai është në Kiev. Nëna ime, motra ime e vogël dhe gjyshërit e mi janë në Ukrainë. Kështu që unë e ndjej vërtet këtë dhimbje. Situata është vërtet e vështirë, veçanërisht kur flasim për Donbasin ose jugun e Ukrainës, dua të them Mariupol, Melitopol", tha Tania.
Ajo tha se xhaxhai i saj po lufton gjithashtu në rajonin e Donbasit dhe ai e përshkroi situatën në një telefonatë të fundit si "me të vërtetë të vështirë dhe të tmerrshme".
"Ushtarët tanë po luftojnë në mënyrën më të mirë të mundshme. Por për fat të keq, ne nuk kemi armë të mjaftueshme. Nuk kemi as ushqim të mjaftueshëm për ushtarët dhe as ujë", tha Tania.
"Babai më tha se 'ajo që mund të shihni në internet është si 10% e realitetit'. Në Ukrainë, situata është vërtet e tmerrshme për ushtarët tanë, për civilët tanë dhe nuk e di, nuk di çfarë të them", tha ajo.
"Film horror"
Angelina, një studente 16-vjeçare që u largua nga qyteti Lviv me nënën e saj më 27 shkurt, tre ditë pas fillimit të luftës, shprehet se "të gjithë e panë se sa e frikshme është kjo që po ndodh për Mariupolin dhe Bucha-n".
Sipas saj, kjo i ngjan "një imagjinate të çmendur të regjisorit të filmit horror".
"E dini, është kaq e tmerrshme ajo që po ndodh tani. Fëmijët po humbasin shtëpitë e tyre, familjet e tyre. Dhe kjo që po ndodh në vendin tonë është vërtet e tmerrshme. Pra, ne po qëndrojmë këtu çdo ditë për të luftuar me këtë, për të ndaluar këtë gjë të tmerrshme që tani ndodh në vendin tim", tha ajo.
Falënderime Turqisë
Harasym tha se ai ka shumë të afërm që janë strehuar në Turqi, duke shprehur mirënjohjen e tij për Turqinë që ka strehuar mijëra refugjatë ukrainas.
"Do të doja të falënderoja gjithashtu Turqinë për pranimin e refugjatëve ukrainas. Jo vetëm Polonia, Polonia ka pranuar shumë prej tyre, por gjithashtu Turqia ka pranuar disa prej tyre dhe disa prej tyre i njoh personalisht", tha ai, duke shtuar: "Ata janë në Antalya tani, kështu që falënderoj shumë turqit".
Ai tha se do të vazhdojnë të protestojnë çdo ditë për të "ndryshuar opinionin publik".
"Pra, nëse besojmë se do të ketë një masë kritike njerëzish që kërkojnë mbylljen e hapësirës ajrore, diçka mund të ndodhë", tha ai.