Gökhan Kavak
06 qershor 2019•Përditësim: 07 qershor 2019
Këshilli për Paqe dhe Siguri i Unionit Afrikan (PSC) pezulloi anëtarësimin e Sudanit pasi më shumë se 100 njerëz humbën jetën gjatë ndërhyrjes së forcave të sigurisë ndaj protestuesve ditën e hënë në kryeqytetin e vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë në llogarinë në Twitter të PSC-së thuhet se rruga e vetme për daljen e Sudanit nga kriza aktuale është transferimi i qeverisjes tek administrata civile dhe se deri në këtë kohë është pezulluar anëtarësimi i vendit në PSC.
Rikujtohet se Këshilli për Paqe dhe Siguri i Unionit Afrikan (PSC) u mblodh sot për të diskutuar situatën aktuale në Sudan.
- Ngjarjet në Sudan
Forcat e sigurisë në Sudan ndërhynë me plumba të vërtetë dhe gaz lotsjellës ndaj qytetarëve, ku prej disa javësh protestonin për ruajtjen e demokracisë përballë kazermës ushtarake në Khartoum. Sipas Komitetit Qendror të Mjekëve të Sudanit (CDC) është raportuar se kanë humbur jetën 108 njerëz.
Protestat e nisura më 19 dhjetor të vitit të kaluar në Sudan kundër krizës ekonomike u përhapën me shpejtësi në Khartoum dhe në gjithë vendin, duke u shndërruar në protesta kundër regjimit. Më 11 prill, pasi mori kontrollin e pushtetit, ushtria sudaneze njoftoi përfundimin e periudhës së Al-Bashirit pas disa muajve të protestave popullore kundër qeverisjes së tij 30-vjeçare.
Pas ardhjes së ushtrisë në pushtet, protestat kanë vazhduar nëpër rrugë, ku protestuesit kërkuan kalimin në një qeverisje civile, ndërsa janë zhvilluar bisedime me qeverisjen ushtarake se si duhet të formohet qeveria kalimtare.