Esra Tekin
30 tetor 2025•Përditësim: 30 tetor 2025
Të paktën 30 persona kanë humbur jetën, përfshirë 25 në Haiti, si pasojë e uranit të fuqishëm "Melissa" pasi shkatërroi një vend tjetër në Karaibe, transmeton Anadolu.
"Melissa" shkaktoi daljen nga shtrati të lumit La Digue, duke rezultuar në përmbytje në jug të Haitit dhe duke shkaktuar 25 viktima atje.
Jean Bertrand Subreme, kryebashkiak i qytetit bregdetar Petit-Goave në Haiti, tha se lumi përmbyti shtëpitë aty pranë, ku si pasojë humbën jetën mbi 10 persona.
Ai tha se dhjetëra shtëpi janë shkatërruar dhe shumë njerëz janë ende të bllokuar nën rrënoja. Ai i bëri thirrje qeverisë për ndihmë me operacionet e shpëtimit.
Xhamajka, e goditur gjithashtu nga uragani "Melissa", ka evakuuar afër 25 mijë persona në strehimore.
Një zyrtar i qeverisë së Xhamajkës tha se administrata aktualisht nuk është në gjendje të konfirmojë ndonjë vdekje që lidhet me stuhinë.
Edhe pse tre persona u raportuan të vdekur në Xhamajka gjatë përgatitjeve për stuhinë, zyrtarët ende nuk kanë publikuar një numër zyrtar të vdekjeve që kur uragani goditi ishullin të martën.
"Deri më tani nuk kemi pasur njoftime për ndonjë vdekje. Pra, nuk mund të supozojmë se ka vdekje", tha ministri i Qeverisjes Vendore dhe Zhvillimit të Komunitetit, Desmond McKenzie, në një konferencë për media.
Uragani "Melissa" kaloi mbi famullitë rurale perëndimore të Xhamajkës, por kryeqyteti Kingstoni shpëtoi nga ndikimi më i rëndë i stuhisë.