Şahin Demir
03 shtator 2026•Përditësim: 03 shtator 2026
Ushtria iraniane ka konfirmuar se Irani kreu sulme me raketa dhe dronë ndaj bazave ushtarake amerikane në Kuvajt dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, transmeton Anadolu.
Ushtria tha se sulmet u kryen në orët e para të ditës së sotme, në kuadër të fazës së 31-të të operacionit të saj “Saeqeh”, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të fundit amerikane ndaj Iranit.
Ajo pretendoi se raketat dhe dronët sulmues goditën sistemet e komunikimit satelitor, depot e pajisjeve dhe hangarët e avionëve luftarakë në Bazën Ajrore Ahmed Al Jaber në Kuvajt.
“Sulmet shkaktuan dëme në sistemet e komunikimit dhe hangarët e avionëve luftarakë në bazë”, tha ushtria.
Në Emiratet e Bashkuara Arabe, ushtria iraniane tha se raketat dhe dronët shënjestruan pozicionet e trupave amerikane dhe sistemet e radarëve në Bazën Ajrore Al Minhad.
Ushtria iraniane u zotua se do të vazhdojë sulmet e saj në përgjigje të operacioneve ushtarake amerikane kundër Iranit.
Më herët, Kuvajti tha se mbrojtja ajrore po u kundërpërgjigjej sulmeve iraniane me raketa dhe dronë, ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme i dënoi sulmet e reja si një “shkelje flagrante” të sovranitetit të vendit.
Sulmet e fundit erdhën një ditë pasi Irani kreu sulme ndaj objekteve ushtarake amerikane në Kuvajt. Dje, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) tha se kishte shënjestruar selinë dhe vendqëndrimin e komandantit amerikan në Bazën Ajrore Ali Al Salem.
Irani ka shënjestruar gjithashtu objekte ushtarake amerikane në disa vende të rajonit, si pjesë e kundërpërgjigjes së tij ndaj sulmeve të fundit amerikane brenda Iranit.
Përshkallëzimi i fundit nisi pasi një sulm amerikan në ishullin iranian Larak të dielën i dha fund një periudhe qetësie prej rreth një muaji në luftimet e drejtpërdrejta mes Teheranit dhe Washingtonit.