Eşref Musa,Burak Karacaoğlu,Levent Tok
28 Korrik 2019•Përditësim: 29 Korrik 2019
Të paktën gjashtë civilë e kanë humbur jetën ndërsa 18 të tjerë janë plagosur në qarkun jugor Eriha, brenda zonës së de-eskalimit në Idlib, si pasojë e sulmit të avionëve luftarakë të Rusisë dhe regjimit të Bashar al-Asadit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Regjimi sirian dhe avionët luftarakë rusë kryen sulme në disa vendbanime brenda zonës së de-eskalimit në Idlib, bëri të ditur Observatori i avionëve të opozitarëve.
Sipas burimeve të Mbrojtjes Civile (Helmetat e Bardha), nga sulmet ajrore jetën e kanë humbur 6 civilë ndërsa janë plagosur 18 të tjerë.
Sulmet ajrore intensive vazhdojnë dhe për shkak të kësaj ka shqetësime për rritjen e numrit të të vdekurve.
Që nga fillimi i javës, në sulmet tokësore dhe ajrore të kryera nga Rusia dhe regjimi i Asadit në zonën e de-eskalimit në Idlib kanë humbur jetën 102 civilë.
Situata në Idlib
Në mars të vitit 2015, opozita vendosi kontroll mbi Idlibin, popullsia e të cilit është rritur në 4 milionë për shkak të migrimeve të fundit në atë zonë. Në të njëjtën kohë, Idlibi është një nga zonat që më së shpeshti sulmohet nga forcat e regjimit.
Opozitarët ushtarakë, garantues i të cilëve është Turqia në kuadër të marrëveshjes historike të arritur më 4-5 maj 2017 në Astana në të cilën Idlibi dhe rrethina u shpallën zonë e de-eskalimit, më 17 shtator të vitit 2018 tërhoqën armët e tyre të rënda si rezultat i një marrëveshjeje tjetër midis Turqisë dhe Rusisë në Soçi.
Megjithatë, forcat e regjimit vazhdojnë pa ndërprerë sulmet e tyre pavarësisht marrëveshjes së Soçit mes Turqisë dhe Rusisë, e cila kishte për qëllim të forcojë armëpushimin në Idlib. Në kuadër të Marrëveshjes së Astanas, Rusia është vendi garantues i regjimit të Asadit.
Sulmet e fundit të regjimit dhe mbështetësve të tij u intensifikuan teksa më 25-26 prill, në kryeqytetin e Kazakistanit, Nursultan, po mbahej takimi i 12-të midis Turqisë, Rusisë dhe Iranit.
Mbi 553 mijë civilë janë zhvendosur si pasojë e bombardimeve që nga nënshkrimi i marrëveshjes midis Rusisë dhe Turqisë në muajin shtator.
Në periudhën nga 26 prilli deri më 12 korrik, sipas Rrjetit Sirian të të Drejtave të Njeriut (SNHR), nga sulmet e regjimit në Idlib janë vrarë 606 civilë prej të cilëve 157 fëmijë dhe 111 gra.